Marrëveshja në Ohër, Bushati: Dokumenti të ishte më i detajuar, me afate konkrete! Pritet që 5 shtete të lëvizin drejt njohjes së Kosovës, do i hiqej gjylja Vuçiqit
Ish ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka komentuar takimin Kosovë-Serbi në Ohër duke thënë se pritej që dokumenti të ishte më i detajuar dhe me afate konkrete drejt së ardhmes për integrimin në BE.
Bushati e ka cilësuar ‘përcaktues’ vullnetin e Kosovës për nënshkrimin e dokumenteve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në një intervistë për Report Tv në emisionin ‘5 pyetjet’ nga Ilir Babaramo, Bushati tha se BE ka qenë në 3 pozicione të rëndësishme për dialogun Kosovë-Serbi që janë lehtësuesi, ndërmjetësuesi dhe udhëheqësi.
Sipas Bushatit, normalizimi i marrëdhënieve pritet të përfundojë me përfshirjen e Serbisë në BE por thekson se s’mund ta lejojë që të luajë me 2 standarde e të mos njohë Kosovën.
“E përbashkëta e 2 dokumenteve është që nuk ka firmë. Mendoj që vullneti i Kosovës ka qenë përcaktues për nënshkrimin e 2 dokumenteve (27 Shkurtit dhe planit të zbatimit të 18 Marsit në Ohër). Tanimë do të kemi zhvendosje ku secilës palë, Serbisë dhe Kosovës, angazhimet do t’i përcaktohen në procesin e integrimit europian.
Serbisë do t’i shtohen angazhimet në kuadër të negociatave të kapitullit 35 që kanë të bëjnë me raportin me fqinjët. Për herë të parë, Kosovës do t’i përcaktohen këto angazhime për anëtarësimin në BE. Ka edhe një element interesant tjetër, që BE ka qenë në pozicionin e lehtësuesit ose ndërmjetësuesi, po ashtu udhëheqës dhe mbikëqyrës i angazhimit. Dokumenti i Ohrit kishim planifikuar të ishte më i detajuar, me afate konkrete që sensi drejt së ardhmes të ishte më i qartë por dihen deklarimet e palëve, po ashtu taktikat që kanë përdorur. Dihen edhe devijimet që kanë përdorur palët në këtë proces. SHBA dhe BE shihet qartë që kanë prioritet për të mos e lënë Serbinë për të rënë në kthetrat e Rusisë. Synohet që përmes këtij procesi normalizime që do përfundojë me njohjen e ndërsjellë të 2 shteteve, Serbia të përfshihet në BE.
Bushati tha se përmes ndërhyrjes së BE, pritet që 5 vendet anëtarë të lëvizin drejt njohjes së Kosovës duke i hequr alibinë presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç për mosnjohjen e Kosovës.
Për Kosovën s’ka dilema për vokacionin e saj atlantik. Pritet që 5 vendet që nuk e njohin të lëvizin drejt njohjes. Njohja do të kishte avantazh për vetë BE dhe luftën që zhvillohet në lindje të kontinentit. Së dyti do t’ia hiqte gjylen dhe alibinë që ka sot presidenti i Serbisë, sipas të cilit kur nuk e njeh Spanja, Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia, pse duhet ta njohë ai Kosovën, do ia hiqte dhe gjylen Vuçiqit.
BE s’mund t’ia lejojë vetes të luajë me 2 standarde. S’mund të lejojë Serbinë që të përdorë barazimin me viktimizim për Rusinë ndaj Ukrainës dhe të bëjë sikur e mbështet me pretekstin e moscënimit të integritetit territorial”, tha Bushati.
Duke qenë se takimi i 18 marsit u mbyll pa firma e shtrëngim duarsh, Ksenofon Kristafi, profesor për të drejtën ndërkombëtare e cilësoi si ‘marrëveshje zotërinjsh’.
“Mund ta cilësojmë marrëveshje me fjalën e dhënë në të cilën negociojnë vetë dhe arrijnë në një konkluzion të caktuar që e konkludojnë jo me firmë por me shtrëngim duarsh. Në këtë rast nuk kishte as shtrëngim duarsh”, tha Kristafi. Ndërsa aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Arbër Zaimi tha se Kosova nuk duhet të lëshojë pe në rast se Serbia nuk i jep rëndësi kapitullit 35 për fqinjësinë. “Serbisë nuk do t’i bëhet vonë për kapitullin 35. Serbisë mund të lozë këtë letër dhe Kosova s’mund të lëshojë dot pe”, tha Zaimi.
Kujtojmë se më 18 mars, Kosova dhe Serbia u përballën me një sërë kritikash nga opozitat e tyre edhe pse në thelb, nuk pati një marrëveshje të nënshkruar. Megjithatë, edhe Presidenti serb Vuçiç edhe Kryeministri i Kosovës, Kurti e kanë paraqitur si sukses. Normalizmi nëpërmjet dy vendeve është një ndër çështjet më të nxehta në Ballkan. Në Ohër, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.