Lajme

Ndalohet pirja e duhanit edhe në parqe

Propozimet e ministrit italian të shëndetësisë për të shtrirë ndalimin e pirjes së duhanit në bare dhe parqe jashtë, kanë zemëruar kolegët e tij të djathtë në qeveri, të cilët e denoncuan atë si komunist. Ministri Orazio Skilakki, një teknokrat pa lidhje partiake, premtoi në janar se do të luftojë duhanin, duke përfshirë cigaret elektronike, të cilat përdoren shpesh nga adoleshentët.

Rregulloret e reja do të mbulojnë zonat e jashtme të bareve dhe stacioneve të transportit publik. Ndalimi do të shtrihet edhe në parqet ku qëndrojnë gratë shtatzëna dhe fëmijët. Ministri i Kulturës Vittorio Sgarbi, i njohur për shprehjen e tij të pazakontë të opinionit, i quajti idetë e Skilakki “të frikshme” dhe tha se ndalime të tilla do t’i inkurajonin njerëzit të pinin duhan.

“Është diçka tipike e një regjimi komunist autoritar dhe diktatorial”, tha Sgarbi për agjencinë e lajmeve Adn Kronos.

Instituti kryesor shëndetësor italian (ISS) njoftoi se rreth 24 për qind e të rriturve italianë pinin duhan vitin e kaluar, që është rreth 12.4 milionë njerëz dhe përqindja më e lartë e regjistruar që nga viti 2009.

Në vitin 2003, qeveria miratoi një ndalim për pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura, i cili hyri në fuqi dy vjet më vonë.

43,000 vdekje të lidhura me duhanin në vit
Organizata shëndetësore Fondazione Umberto Veronesi vlerëson se të paktën 43,000 njerëz vdesin çdo vit në Itali nga shkaqe të lidhura me duhanin.

Kufizimi i propozuar gjithashtu përballet me skepticizëm nga zëvendëskryeministri dhe lideri i Ligës Matteo Salvini, i cili la duhanin katër vjet më parë, por tha se ndalimi i cigareve elektronike në natyrë ishte “i tepruar”.

“Cigaret elektronike po ndihmojnë shumë njerëz të heqin dorë nga cigaret e zakonshme”, shtoi ai. Propozimet duhet të miratohen nga qeveria përpara se të përcillen në parlament.

Related Articles

Back to top button