Akordi BE-Google, marrëveshje për rregullat e Inteligjencës Artificiale
Kompania “Alphabet” që ka në pronësi “Google” dhe Komisioni Evropian synojnë të arrijnë një pakt mbi inteligjencën artificiale që të përfshijë kompani evropiane dhe të huaja përpara se të caktohen rregullat për qeverisjen e teknologjisë.
Komisioneri i BE-së për Industrinë, Thierry Breton u takua në Bruksel me Sundar Pichai, shef ekzekutiv i Google dhe i kompanisë mëmë “Alphabet”. Breton bëri të ditur se bashkë me mysafirin e tij kishin rënë dakord se nuk mund të presin derisa rregullat mbi Inteligjencën Artificiale të bëhen të aplikueshme.
“Ne duhet të menaxhojmë situatën urgjente, por nuk duhet të ngadalësojmë inovacionin. Ndaj, na duhet të gjejmë mjetet e duhura dhe të jemi të palëkundur për disa elementë të caktuar që do të mbikëqyren; si dhe t’i paraprijmë deri në njëfarë mase efekteve të Aktit të Inteligjencës Artificiale”, thotë Thierry Breton, komisioner i BE për Industrinë.
Pakti, detajet e të cilit janë ende të paqarta, do të përfshijë të gjitha kompanitë e mëdha që punojnë në fushën e teknologjisë artificiale brenda dhe jashtë Evropës.
Edhe pse inteligjenca artificiale ka qenë prej kohësh në radarin e Brukselit, shpërthimi në treg i “Chat GPT” ka hapur debate dhe vendosur modelet themelore nën mikroskopin e BE-së. Modelet themelore janë ato të pajisura me një sasi të madhe të dhënash si tekste, foto, muzikë, fjalime dhe kode, me qëllim përmbushjen e një pakete detyrash në vend që të kenë një qëllim të caktuar por të pamodifikueshëm.