Arifi: VV po i josh partitë politike shqiptare në Preshevë me para të taksapaguesve të Kosovës
Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, po pretendon se Qeveria e Kosovës i ka joshur partitë shqiptare në Luginë që të dalin kundër një kandidati, djalë dëshmori, në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Këshilli Kombëtar Shqiptar është një institucion i cili lufton për të drejtat e qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, për të cilin zgjedhjet kanë zgjatur për tetë muaj.
Arifi ka thënë se djali i komandant Lleshit, Levent Qazimi, ka qenë një kandidat i denjë për këtë institucion, por që atë nuk e kanë pranuar të gjitha partitë politike shqiptare në Luginë të Preshevës.
“E kemi pasë një kandidat i cili i ka plotësu të gjitha kushtet për me qenë një kandidat i denjë në këtë institucion i cili është djalë i dëshmorit, i cili paraqet krahun e luftës, babai i tij është komandant legjendar i vrarë nga Serbia dhe i cili është një person që nuk ka qenë pjesë e politikave të të kaluarës ku është njollosur në forma të ndryshme, absolutisht jo. Dhe këtë kandidat nuk e kanë pranuar të gjitha partitë tjera në vendit tonë”, deklaroi Arifi në një videoadresim.
Aryseja për këtë, sipas Arifit, është se Lëvizja Vetëvendosje, me në krye Albin Kurtin, i kanë joshur katër prej këtyre partive që t’i dalin kundër Levent Qazimit.
Joshja tha se u bë me para të taksapaguesve në Kosovë.
“Edhe kësaj rradhe kemi pasë ndërhyrje javëve të fundit ku Vetëvendosja, Albin Kurti, Liburn Aliu së bashku me doraputhësit këtu, pra Kamberin, Sinanin dhe të tjerë ia kanë imponuar dhe i kanë joshur katër parti politike kundrejt neve, kundrejt kandidatit tonë, djalit të komandant Lleshit, me bërë një koalicion duke i ofruar para të Republikës së Kosovës, pra para të taksapaguesve në Kosovë”.
“Duhet ta kuptoni që Vetëvendosja dhe Qeveria e Kosovës që është e kidnapuar nga Vetëvendosja për momentin, joshë me paratë e juaja koalicion në Luginë të Preshevës që shkojnë kundër vullnetit të qytetarëve dhe kundër një djali dëshmori, pra krah i luftës, në Luginë të Preshevës”, tha tutje.
I njëjti ka shtuar se pikërisht në të njëjtën javë kur ka ndodhur e gjitha, para dy viteve, është bërë i njëjti koalicion, pra me rotacion si taktikë e Vetëvendosjes, Kamberit dhe partisë së tij.
Mirëpo Arifi tha se ai koalicion ra pas 10 muajve, dhe se i njëjti fat po e pret edhe këtë të fundit.
Sipas kryetarit të Luginës, “Qeveria e Kosovës në Luginë të Preshevës po krijon përçarje, jostabilitet, dhe gjëra që janë në favor të Serbisë”.