”Financial Times”: Shqipëria, e bekuara me bukuri natyrore dhe interes historik
Një mik i vjetër, Virtyt Gacaferri, më dërgoi email nga Kosova, ku më thoshte ejani të ecim nëpër Shqipëri, shkruan Martin Fletcher për ”Financial Times”.
Ai kishte zbuluar një shteg të ri – katër ditë më këmbë apo rreth 60 kilometra drejt një lugine të largët jugore. Do të rrinim me fshatarët. Do të kishte peizazhe spektakolare, kisha të mahnitshme, burime termale dhe më në fund, premtoi ai, “një qytet me rrugë kaq të pjerrëta sa mund të varni kapelën tuaj në majë të një minareje”.
Shqipëria? Ajo është një nga vendet më të varfra të Evropës. Një e treta e popullsisë së saj jeton jashtë vendit. Gjatë gjithë dimrit kam lexuar për bandat e saj kriminale, trafikantët e njerëzve dhe turmat e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë La Manshin me varka të vogla. Megjithatë, Virtyti kishte të drejtë. Në vitin 2017 ai më kishte çuar në një shëtitje të mrekullueshme përgjatë kufirit të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, në Bjeshkët e Namuna.
Dhe kështu, në ditën e parë zyrtare të pranverës, unë dhe disa miq fluturuam për në Tiranë pikërisht kur Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, mbërriti në Londër për të takuar Rishi Sunak për bisedime, që do të përfshinin trajtimin e migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar. Megjithatë, gjatë ditëve në vijim, perceptimi im për Shqipërinë dhe shqiptarët ndryshoi në mënyrë dramatike.
Virtyti na takoi në aeroport me një udhërrëfyes të këndshëm, të papërmbajtshëm dhe pafundësisht të shkathët, Arben Kola, i cili pranoi lehtësisht se kishte hyrë tre herë në Britaninë e Madhe ilegalisht me ose nën kamionë.
Teksa niseshim drejt jugut, ndaluam rrugës për shijen tonë të parë të një Shqipërie shumë të ndryshme nga stereotipi: Apolonia, një vendbanim i mëparshëm grek e më pas romak në majë kodre, i braktisur pas tërmeteve të shekullit V, që devijuan rrjedhën e një lumi aty pranë, duke e bërë atë të paarritshëm për detin.
Në diellin e qetë të pasdites së vonë, ne i kishim bërë tonat rrënojat dhe Arbeni bindi arkeologun vendas, Arjan Dimo, të hapte muzeun e vogël me koleksionin e tij mbresëlënës të vazove, stolive dhe statujave. Krenaria e tij ishte një këmbë e mrekullueshme me sandale, prej bronzi, që Dimo e kishte gjetur vetë.
Ishte errësirë kur arritëm në Peshtan, fshati ku do të fillonte ecja jonë. Furgoni ynë, që tronditej nga një rrugë e pashtruar, na la jashtë një bujtine të pastër e të thjeshtë ku Valentina dhe Viktor Goliku na pritën në një ambient të ngrohtë, me raki dhe një tavë me pulë të pjekur, byrek të mbushur me djathë dhe spinaq dhe verë të bërë vetë.
Surpriza më e madhe erdhi mëngjesin tjetër. Dielli që po lindte zbuloi male të pyllëzuara përreth dhe, shumë më poshtë, grykën e lumit bruz Vjosa. Me burim nga Greqia dhe rreth 240 kilometra e gjatë, Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të Evropës, e egër dhe e padëmtuar.
Qeveria e Shqipërisë sapo e ka shpallur atë park kombëtar.
Ne hëngrëm mëngjesin me turshi, reçel dhe djathë të bërë vetë, në një tarracë me pamje nga ky peizazh madhështor, më pas vumë mbi supe çantat e shpinës dhe u nisëm jo në luginën e Vjosës, por në luginën e një prej degëve të saj, Zagorit, vendi i një beteje të ashpër mes grekëve dhe italianëve në Luftën e Dytë Botërore.
Në buzë të Peshtanit, Mira Muka na tregoi një koleksion të jashtëzakonshëm pushkësh të ndryshkura, helmeta, bajoneta, predha dhe kuti konservash që ajo dhe i shoqi i kishin gjetur në kodrat përreth. ”Ka ende shumë municione të pashpërthyera”, na thotë ajo.
Teksa ngjiteshim në shtegun e pjerrët nga Peshtani, maja me borë e Strakavecit u shfaq para nesh. Kjo majë do të mbetej pika jonë e orientimit përgjatë gjithë ditës. Nën një qiell pa re ne ecnim nëpër pyjet e pashkelura të ahut. Kaluam përrenj dhe mbushëm shishet e ujit nga burimet. Drekuam nën një diell të ngrohtë jashtë me bukë, domate dhe djathë dhie. Takuam vetëm një bari të vetmuar, ndërkohë që pamja e tij u lajmërua nga zhurma e këmbanave të dhive të tij.
Pasdite ndaluam në një shtëpi të vjetër prej guri, pronari i së cilës, Ilir Korro, na ofroi kafe, raki dhe mjaltë të trashë nga kosheret e bletëve. Ai mbante edhe lopë. I therte vetë dhe mishin e çonte në Peshtan me kalë.
Menjëherë pas kësaj, ne zbritëm në lumë dhe një tjetër surprizë – një urë guri e epokës osmane të shekullit XIX, me një hark të vetëm elegant dhe me kalldrëm. Ishte një vepër arti në ”shkretëtirë”, me sa duket nuk i shërbente askujt përveç nesh.
Nga lumi u ngjitëm të lodhur në një kodër të fundit e të gjatë deri në Limar, një fshat larg çdo rruge. Atje e kaluam natën në shtëpinë e Mani Damanit, mësuesit të qeshur të shkollës së fshatit dhe mësuam se si bukuria e rajonit ishte e ngjyrosur me trishtim.
Shtëpia e Manit, si pjesa tjetër e Limarit, ishte ndërtuar tërësisht me gurë nga kodrat përreth. Ne hëngrëm mish qengji, djathë, gjizë dhe perime të prodhuara në tokën e tij. Pimë verë nga hardhitë e tij, çaj nga manaferrat e malit dhe raki të bërë vetë. Na ngrohte një sobë me dru nga pylli. Por, mënyra e jetesës së Manit, e zhdukur prej kohësh gjetkë në Evropë, do të zhduket së shpejti edhe këtu. ”Popullsia e Limarit ishte zvogëluar nga 100 familje 30 vjet më parë në vetëm 15 tani”, shpjegoi ai. Ashtu si në të gjitha fshatrat e tjera nëpër të cilat kaluam, brezat e rinj ishin larguar për në Tiranë ose, me gjasë, kishin emigruar.
Të nesërmen në mëngjes u zgjuam nga zhurma e gjelave që këndonin, qengjave dhe zileve të lopëve. Para se të niseshim, vizituam shkollën e rrënuar me dy dhoma të Manit. I kishin mbetur vetëm dy nxënës.
Dita e dytë ishte po aq sublime sa e para, qielli edhe një herë një blu pa cene. E lamë Strakavecin pas, por lugina përpara ishte e rrethuar nga male të tjera të mbuluara me borë – strofulla arinjsh, ujqërish, derrash të egër dhe rrëqebullit të rrallë të Ballkanit. Arbeni demonstroi një aftësi të jashtëzakonshme për të fishkëllyer këngët e zogjve.
Në mesditë arritëm në Doshnicë, një nga fshatrat më të izoluar të mbetur në Evropë. Teksa endeshim rrugicave të tij me kalldrëm, një grua na ofroi kafe dhe arra në kopshtin e saj me hije. Rruga më e afërt e duhur ishte dy orë më këmbë, tha ajo. Nga 30 familje që jetonin në Doshnicë në vitet 1990, kishin mbetur vetëm shtatë. Nuk kishte mbetur asnjë fëmijë.
Atë pasdite vonë një kakofoni qensh që lehnin na priti në fshatin Hoshtevë. Aty zbuluam një kishë ortodokse shqiptare të ndërtuar në vitin 1843 që i kishte mbijetuar disi regjimit ateist të Enver Hoxhës, diktatorit komunist të Shqipërisë nga viti 1944 deri në 1985. Ai shkatërroi më shumë se 2 000 kisha dhe xhami, ndërsa e ktheu vendin e tij në Korenë e Veriut të Evropës.
Brendësia e errët e kishës ishte mahnitëse. Çdo mur, çdo shtyllë, tavani i saj me kube dhe madje edhe foltorja e tij e lartë ishin të mbuluara me afreske. Kujdestari tha se fshatarët kishin vazhduar të adhuronin fshehurazi atje gjatë sundimit të Hoxhës. Dënimi, nëse kapej, ishte me burg.
Edhe në Hoshtevë kemi hasur në një problem, bujtina e vetme nuk ishte hapur ende pas dimrit. Pa një vend ku të qëndronim, na u desh të braktisnim ditën e tretë të ecjes. Në vend të kësaj, ne i hipëm një Mercedesi, që i përkiste një prej fshatarëve, për rreth 15 kilometra për të mbërritur në shtëpinë tonë të ardhshme për mysafirë në Sheper.
Më në fund ishim pranë majës së luginës së Zagorisë dhe kufirit grek. Ishte koha për të ecur edhe nja 1 500 metra në veri dhe për t’u kthyer në luginën e Vjosës. Morëm një mushkë për çantat tona të shpinës dhe herët në mëngjes nisëm ngjitjen tonë të gjatë duke kaluar dy nga 170 000 bunkerët që Hoxha, në paranojën e tij, ngriti për të mbrojtur Shqipërinë nga pushtimi.
Në majë, pamë një livadh të madh të rrethuar nga bora, ku barinjtë do të sillnin kafshët e tyre për t’i kullotur në barin e harlisur të verës. Provuam fiq të thatë dhe shijuam pamjet e mrekullueshme të majave në veri, jug, lindje dhe perëndim.
Zbritja ishte më pak argëtuese. Rruga ishte e pjerrët dhe e mbuluar me argjilë. U deshën orë të tëra për të mbërritur në fund, por lodhja do të na shpërblehej. Njëra ishte zhytja në burimet termale që flluskonin nga shkëmbinjtë, poshtë një ure tjetër të bukur osmane në Kanionin e Langaricës. Tjetra ishte një natë dhe darkë e shtruar bukur dhe bollshëm, në një shtëpi të mrekullueshme 120-vjeçare, me mure të trasha deri në oborr dhe dyer të vjetra prej druri në pronësi të Kristaq dhe Florinda Cullufes.
Toka e pasur bujqësore e stërgjyshërve të familjes pranë Vjosës u konfiskua nga Hoxha dhe Cullufët u zhvendosën në qytetin e Përmetit për të bërë punë të rëndomta. Për më shumë se 20 vjet ata ktheheshin çdo të diel për t’u kujdesur për shtëpinë derisa më në fund, në vitin 2017, e rihapën atë si shtëpi pritëse. “Unë nuk udhëtoj për të parë botën”, thotë Kristaqi, ndërsa darkonim në një ballkon me pamje nga lugina e Vjosës.
“Qëllimi im është ta sjell botën këtu”, thekson ai.
Humbja e një dite ecjeje ishte për të ardhur keq, por kjo na dha më shumë kohë për të eksploruar një zonë pak të njohur – në të vërtetë, të ndaluar prej kohësh – për botën e jashtme. Kaluam dy orë të gëzuara duke u endur vetëm mes rrënojave mbresëlënëse të Bylisit, një qytet antik romak, i ndërtuar në një majë mali me pamje akoma më mahnitëse mbi Vjosë.
Në jug të Gjirokastrës ecëm në një rrugë tjetër të pashtruar dhe u gjendëm po aq të vetmuar, në teatrin antik romak të Hadrianopolis, i gërmuar pothuajse 20 vjet më parë. Qetësia e tij prishej vetëm nga fermerët që lëronin fushat përreth.
Dhe pastaj u shfaq Gjirokastra, një qytet i epokës otomane dhe një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, me rrugë të ngushta me kalldrëm, që binin poshtë një shpati mali marramendës. Është gjithashtu vendlindja e Hoxhës dhe Ismail Kadaresë, romancierit më të njohur të Shqipërisë, i cili shkroi për “varjen e kapelave në minare”.
Arbeni na foli për në kështjellën 1 500-vjeçare me pamje nga qyteti, megjithëse ajo ishte e mbyllur zyrtarisht atë ditë. Ne eksploruam bunkerin labirint bërthamor të ndërtuar nën bashkinë e qytetit në kohën e Hoxhës për të mbrojtur zyrtarët komunistë të Gjirokastrës.
Ne vizituam një nga shtëpitë e mrekullueshme të tregtarit, pronari i së cilës, Nesip Skënduli, ishte brezi i nëntë radhazi i familjes së tij që jetonte në të. ”Hoxha ishte shok shkolle i babait të tij”, tha ai, ”por më vonë e burgosi për 13 vjet dhe i detyroi Skedulët të ndanin shtëpinë e tyre me shtatë familje të tjera”.
Reliket e sundimit brutal të Hoxhës janë rrëqethëse, por edhe tërheqëse. Gjatë kthimit me makinë për në Tiranë, ne ndaluam në Tepelenë për të parë një kamp pune të braktisur prej kohësh. Në periferi të Tiranës, ne pamë një varr që nuk binte në sy, dhe ku gjendeshin eshtrat e Hoxhës. Në kryeqytet, ne vizituam ”Shtëpinë me Gjethe”, ish-ndërtesën e policisë sekrete të Hoxhës, e cila tregon me detaje rrëqethëse metodat dhe pajisjet që Sigurimi i Shtetit përdori për të shtypur të gjithë rezistencën.
I palodhur deri në fund, Arbeni na tregoi edhe rreth tmerrit të fundit, bunkerit nëntokësor të Hoxhës, i ndërtuar në një mal në skajin lindor të Tiranës në vitet ’70. Të 106 dhomat e tij ishin projektuar për të mbrojtur zyrtarët e lartë të regjimit dhe familjet e tyre dhe përfshinin një suitë të tërë për vetë Hoxhën. Kaq të trasha janë muret e betonit të këtij bunkeri, saqë padyshim do t’ia kalonin shumë vendbanimeve romake të Shqipërisë.
Duke nxituar për në aeroport, ne kaluam kujtime të paharruara të pjesës më pak të bukur të Shqipërisë moderne, ndërtesa të reja dhe një numër të jashtëzakonshëm makinash të modeleve të fundit. Megjithatë, ne nuk kishim përjetuar gjë tjetër veç ngrohtësi dhe bujari në një vend që mund të rrënohet nga emigracioni, por është i bekuar me bukuri të bollshme natyrore dhe interes historik.