Lajme

Lirimi i policëve, Edi Rama intervenoi drejtpërdrejt tek Vuçiq

Lirimi i tre policëve të Kosovës të arrestuar në 14 qershor nga forcat serbe përbën një zhvillim të rëndësishëm drejt uljes së tensioneve në veri të Kosovës, e kërkuar me insistim nga komuniteti ndërkombëtar si mënyra e vetme për të shmangur probleme më të gjera e për t`i rikthyer palët në tryezën e dialogut.

Kryeministri Edi Rama ishte një prej zërave që i kërkoi Serbisë t`i thërrasë arsyes teksa e cilësoi mbajtjen e efektivëve në paraburgim si “mbajtje peng” ndërsa e kritikoi qëndrimin e Beogradit. Burime nga Brukseli pohojnë tani se Rama ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha palët e përfshira, europianët, amerikanët e serbët. Sipas tyre, kreu i ekzekutivit shqiptar ka ushtruar influencën e tij për lirimin e Rifat Zekës, Beqir Sefit dhe Mustafë Shemit, jo vetëm drejtpërdrejte me presidentin serb Aleksandër Vuçiç duke e pohuar edhe publikisht se çdo nisme rajonale do të kthehej në zero nëse policët nuk liroheshin, por edhe duke shfrytëzuar lidhjet e ngushta të Vuçiçit me kryeministrin hungarez Viktor Orban, i cili pak ditë më parë vizitoi Tiranën dhe njihet për marrëdhëniet e ngushta miqësore me kreun e shtetit serb.
Mësohet se ai është nxitur nga Rama për t`u bërë pjesë e negocimit me Vuçiçin. Tre policët dolën sot përpara gjykatës së Kralevës, e cila vendosi që ata ta organizojnë mbrojtjen e tyre në gjendje të lirë. Arrestimi i tre policëve shkaktoi reagimin e ashpër të Prishtinës, që vazhdoi të insistonte se efektivët e kufirit ishin rrëmbyer brenda territorit të Kosovës. Beogradi nga ana tjetër deklaronte se ishin kapur në tokën serbe.

Autoritetet serbe pretendonin se dyshoheshin për veprat penale te prodhimit, zotërimit, mbajtjes dhe trafikimit të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse, që bartin në vetvete dënimin me deri në 12 vjet heqje lirie. Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht kishte këmbëngulur në lirimin e tyre pa kushte. Ky përbën padyshim një hap domethënës drejt ç’tensionimit të situatës në veri, e cila i ka shqetësuar ndërkombëtarët deri në pikën që vetë i dërguari i SHBA-së për Ballkanin perëndimor të pohonte pak ditë më parë se tensionet ne veriun e Kosovës e kanë potencialin të shndërrohen në konflikt rajonal.

Related Articles

Back to top button