Pas SHBA-së, edhe Britania e Madhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës.
Në reagimin e Qeverisë britanike po ashtu i bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të ndërmarrin masa për të ulur tensionet.
“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor.
Po ashtu, ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet”, thuhet në reagim.
Qeveria britanike po ashtu i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të sigurojë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitë speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale.