Situata në veri të Kosovës, Begaj: Dhuna e pajustifikueshme, Novak: Palët të gjejnë rrugën drejt paqes
Presidenti, Bajram Begaj, duke komentuar zhvillimet në veri të Kosovës ka dënuar dhunën ndaj medias dhe KFOR-it.
Begaj tha gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp me Presidenten e Hungarisë, Katalin Novak, e cil ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, se dhuna e ushtruar ndaj ushtarëve të KFOR, por dhe medias është e pajustifikueshme. Sipas tij, duhet maturi për çtensionimin e situatës.
“I shpreha keqardhjen zonjës Novak për ushtarët hungarezë të lënduar në veri të Kosovës. Ngjarje të tilla nuk janë në shërbim të askujt, nuk i bëjnë mirë asnjërit. Pengojnë proceset integruese të rajonit në Bashkimin Europian. Keqpërdorimi i popullatës serbe në veri të Kosovës dhe dhuna e ushtruar ndaj KFOR dhe medias është e pajustifikueshme. Asnjë pretekst nuk mund të nxirret për të justifikuar asnjë nga palët për moszbatimin e marrëveshjes të arritur në Bruksel dhe anekseve në Ohër. Në këtë moment nevojitet një çtensionim i situatës, të tregohet maturi dhe durim dhe t’i shërbehet zgjidhjes së problemit dhe të jetë busulla e orientimit të dy vendeve për të arritur atë marrëveshje”, tha Begaj.
Në fjalën e saj, Presidentja e Hungarisë, Novak bëri apel për dialog për qetësimin e situatës.
“Gjatë kësaj kohe Ballkani Perëndimor është një rajon ku shumë shpejt mund të përshkallëzohet situata si në Bosnjë, si një Kosovë. Bashkë me Presidentin Begaj jemi interesuar në depërshkallëzim dhe kemi parasysh paqen dhe stabilitetin e Kosovës dhe rajonit. Përpiqemi që ndërmjet dialogut të mbështesim paqen dhe integrimin e vendeve të rajonit. Kemi mbi 400 trupa në Kosovë në KFOR. Kanë qenë guximtarë, shpresojmë të mos ketë më një situatë të tillë, të qetësohet sa më shpejt dhe të gjejnë rrugën drejt një paqeje afatgjatë”, tha ajo.
Prej disa ditësh në katër komuna në veri të Kosovës, në Leposaviç, Zubin Potok dhe në Zveçan, komuniteti serb ka protestuar kundër pranisë së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të cilët fituan zgjedhjet e pjesshme në këto komuna. Gjatë ditës së hënë, protestuesit me maska dhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.