“Zgjedhje të reja lokale”- Propozimet e BE-së për tejkalimin e situatës në veri dhe telefonat e Kurtit me amerikanët
Bashkimi Evropian të enjten prezantoi tri kërkesa për tejkalimin e situatës së tensionuar në veri të vendit.
Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell i cili paraqiti kërkesat e BE-së tha se dështimi i tyre do të ketë pasoja të rënda.
Në një shkrim në Twitter, ai tha se BE ka paraqitur tri kërkesa të qarta për tejkalimin e krizës e të cilat janë:
– Zgjedhjet e reja lokale në veri,
– Sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje,
– Fillimi i punës për themelimin e Asociacionit në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Këto kërkesa të Borrell erdhën pas takimit të Osmanit me presidentin e Francës, Emanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
I pranishëm në takim ishte edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
Ndërkaq, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.
“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgjedhje.
E para e shtetit të Kosovës e konfirmoi të enjten se Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, ia bënë këtë kërkesë gjatë takimit të tyre në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, dhe shtoi se u tha atyre që “ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë, në bazë të ligjit të Kosovës për zgjedhjet lokale”.
E zhvillimet në veri të vendit dhe kërkesat për qetësimin e situatës atje ka bërë që të intensifikohen edhe telefonat dhe koordinimi me ndërkombëtarët i kryeministrit të vendit, Albin Kurti ditët e fundit.
Ai të enjten ka zhvilluar bisedë telefonike me tre senatorë amerikanë si dhe me zëvendës këshilltarin e sigurisë kombëtare të presidentit Joe Biden.
Në bisedën telefonike me zëvendës këshilltarin Jon Finer, tha se është i angazhuar të punojë së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partner e aleat strategjik i Kosovës në çlirimin e zhvillim e Kosovës për de-eskalimin e situatës në veri të vendit.
Kurti theksoi se është e rëndësishme që krimi të dënohet dhe ndëshkohet dhe krahas dënimit të sulmeve mbi ushtarët e KFOR-it, duhet të dënohet edhe sulmi mbi Policinë e Kosovës dhe mediat.
Ai tha që është me rëndësi, që turmat e dhunshme e grupet kriminale të dirigjuara e kontrolluara nga Serbia, të largohen nga afërsia e objekteve komunale dhe që dhuna të ndalet, në mënyrë që situata të qetësohet.
“Objektet e Komunave janë pronë e republikës dhe ato nuk mund të merren me dhunë. Kujtoi që kemi pasur një proces zgjedhor e demokratik të pranuar nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë 5 vendet e QUINT-it”, tha Kurti.
Po ashtu, Kurti të enjten bashkëbisedoi me telefon edhe me tre senatorët amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts.
Kryeministri theksoi se kishim një proces zgjedhor të njohur nga komuniteti ndërkombëtar dhe se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të mund të punojnë në vendet e tyre të punës.
“Përshkallëzimit të situatës të hënën, ku u sulmua Policia e Kosovës, u lënduan ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, i ka kontribuar turma e dhunshme. Njerëz të armatosur e të dhunshëm, pjesëtarë të grupeve kriminale të dirigjuar nga Serbia, të cilët kanë interes pikërisht destabilizimin”, tha ai.
Kryeministri i siguroi senatorët, që është plotësisht i angazhuar për qetësim të situatës dhe se rruga përpara është respektimi i proceseve kushtetuese e ligjore, dialogu dhe zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe aneksit të saj në Ohër.