247 vite shtet, SHBA feston sot Ditën e Pavarësisë
4 Korriku shënon 247-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deklarata e Pavarësisë është një dokument ku 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar.
Dokumenti i Pavarësisë u ratifikua më 4 Korrik 1776. Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787 përshkruan më pas bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, në ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, pra Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.
4 korriku është i njohur në të gjithë vendin si dita e fishekzjarrëve. Mijëra komunitete anembanë vendit organizojnë shfaqje me fishekzjarre në mbrëmje, më mbresëlënësja e të cilave zhvillohet në Uashington, kryeqyteti i vendit.
Fishekzjarret në 4 korrik nuk janë diçka e re. Kongresi autorizoi përdorimin e fishekzjarreve si pjesë të festimeve të Ditës së Pavarësisë në vitin 1777 në Filadelfia dhe qysh nga ajo kohë, ato kanë qenë një mënyrë popullore për të festuar festën.
Secili shtet në Shtetet e Bashkuara ka ligjet e veta për shitjen e fishekzjarrëve. Shumë shtete u lejojnë banorëve të blejnë dhe të përdorin lloje të caktuara të fishekzjarrëve në shtëpitë e tyre.
Ndërsa miliona amerikanë festojnë, zyrtarët lokalë dhe federalë të zbatimit të ligjit punojnë për të siguruar që festimet të zhvillohen pa incidente. Policia do të jetë kudo e pranishme në qytetin e Nju Jorkut, ku do të zhvillohet shfaqja më e madhe e fishekzjarrëve.