Lajme

Qafë Thanë, hyn në fuqi programi i ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll

Një pikë tjetër kufitare e përbashkët u çel sot në Qafë Thanë, ku hyri në fuqi programi i ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll”, duke “zhbërë” kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave me procedura shumë të thjeshtuara.
Pika e Qafë Thanës vjen në vijim të përvojës së suksesshme me pikat e tjera kufitare të përbashkëta, siç është ajo e Murriqanit dhe pika kufitare e Morinës. Ky projekt synon përmirësimin e infrastrukturës dhe thjeshtimin e procedurave të kontrollit përmes një sistemi ONE STOP SHOP ose një ndalesë, një kontroll.
Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski vizituan sot pikën e përbashkët kufitare të Qafë Thanës, e cila dëshmon ndër të tjera forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në ceremoninë e inaugurimit të mbajtur me këtë rast, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski u shpreh ndër të tjera se “Rezultati i këtij bashkëpunimi është fakti se sot ne jemi këtu bashkë në kalimin kufitar Qafë-Thanë ku shënojmë fillimin e ONE STOP SHOP. Sot mundësojmë qarkullim më të shpejtë të qytetarëve tanë mes dy vendeve dhe qarkullim më të shpejtë të kompanive, të cilët transportojnë produkte në kalimin kufitar më të madh mes dy shteteve.

Mundësimi i qarkullimit të njerëzve dhe për kapitalet njëkohësisht i rrit lidhjet nëpërmjet njerëzve, komunikimet mes njerëzve dhe rrit shoqërimin mes njerëzve, mes dy shteteve, diçka që gjysmë shekulli mungonte mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së asaj kohe por kjo tashmë është diçka e kaluar. Sot ne jemi shembull se si duhet të sillen dy vende fqinje. Sot jemi këtu bashkë me Shqipërinë që të hapim ONE STOP SHOP të shërbimeve policore dhe doganore. Ajo që prej nesër vijon është rritja e kapaciteteve të nëpunësve që punojnë këtu por edhe miratimi i metodave të reja të punës që do ta ulin pritjen.”

Ndërsa Kryeministri Rama tha se çelja e pikës së përbashkët të Qafë Thanës është një moment i rëndësishëm pasi lehtësohet në mënyrë të konsiderueshme kalimi në këtë pikë, duke i dhënë një shtysë të mëtejshme, jo vetëm shkëmbimeve tregtare, por edhe zhvillimit të marrëdhënieve tona në tërësi pa harruar edhe zhvillimin e turizmit.

Kryeministri Edi Rama: I nderuar kryeministër, I dashur Dhimitër!

Të nderuar autoritete të të dyja vendeve, shumë të nderuar punonjës të policisë dhe të doganave,

Sot është një moment i rëndësishëm për të gjithë ata që kalojnë nga kjo pikë kufitare, qofshin individë apo kompani që shkëmbejnë mes dy vendeve. Është një moment i rëndësishëm sepse më në fund ua lehtësojmë në mënyrë të konsiderueshme kalimin në këtë pikë dhe patjetër i japim një shtysë të mëtejshme, jo vetëm shkëmbimeve tregtare, por edhe zhvillimit të marrëdhënieve tona në tërësi pa harruar edhe zhvillimin e turizmit.
Shqipëria këtë vit po përjeton një impakt të jashtëzakonshëm të transformimit të imazhit të saj dhe si asnjë vit më parë fluksi i turistëve, por dhe numri i investitorëve të mëdhenj ndërkombëtare të interesuar për të investuar në industrinë e turizmit në Shqipëri së bashku me shqiptarët e diasporës apo dhe ata që banojnë në Shqipëri është realisht tejet inkurajues, por natyrisht që zhvillimi i mëtejshëm dhe rritja e dëshiruar e industrisë së turizmit, ashtu sikundër rritja e dëshiruar e sektorëve të tjerë të prodhimit kërkojnë një qasje komplekse dhe pjesë e patjetërsueshme e kësaj qasjeje është pikërisht transformimi në funksion të lehtësimit të kalimit të kufijve.
Me kryeministrin kemi folur vijimësisht për këtë dhe kemi parë në vetë të parë sesi nga e thëna në të bërë është vërtetë në mes një det i tërë sepse ka shumë pengesa që vijnë nga inercia e së shkuarës dhe nga ana tjetër nga paragjykimi për pikërisht liberalizimin e lëvizjes. Në fakt, liberalizimi i lëvizjes sjell, jo vetëm më shumë lehtësi, por sjell dhe më shumë transparencë. Sjell dhe më pak rrezik për praktika të këqija në trajtimin e qytetarëve dhe në trajtimin e subjekteve tregtare dhe patjetër që sjell dhe më shumë rritje të përgjegjësisë për të gjitha agjencitë ligj zbatuese në pikat kufitare.

Vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti dhe vetëm në këtë pikë kufitare kanë lëvizur mbi 770 mijë shtetas dhe mbi 352 mijë automjete.
Është një fluks shumë i konsiderueshëm edhe pse kjo nuk është pika më intensive e kalimit dhe një procedurë e thjeshtuar vetëm me një ndalesë, ku në të njëjtin vend janë të dy përfaqësuesit e Agjencive tona ligj zbatuese është ajo që nevojitet. por nga ana tjetër unë dua të shpresoj që të dyja Ministritë e Brendshme do të kalojnë në një tjetër nivel në këtë periudhë piku të sezonit, por pastaj dhe në të gjitha sezonet e tjera verore për të bërë kalimin pa kontroll apo më saktë me kontroll të rastësishëm të makinave të targuara Republika e Shqipërisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që edhe më shumë të lehtësohet qarkullimi, por mbi të gjitha ata që vijnë në Shqipëri apo shkojnë në anën tjetër për turizëm, të mos e kenë rrugës këtë lloj ndalese që prodhon stres, humbje kohe dhe mërzi.

Pa diskutim që ky është një hap i rëndësishëm, por qëllimi final është unifikimi i doganave që natyrisht do të vijë me integrimin e plotë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, por që ne nuk kemi pse presim Bashkimin Europian për ta avancuar si ide. Ka pasur shumë skeptikë dhe përqeshës kur ne filluam këtë proces me të ashtuquajturin “mini-shengen”, pastaj me Ballkanin e Hapur dhe në ndërkohë rezultatet flasin çdo ditë e më mirë për arsyen e thjeshtë të një procesi si ky. Ta bëjmë hapësirën mes nesh një hapësirë ku ndërveprohet dhe bashkëjetohet si në BE pa pritur që të integrohemi tërësisht në Bashkimin Europian.
Kryeministri preku me të drejtë një projekt madhor që po e çojmë përpara së bashku, Korridorin 8. Një ëndërr shumë e vjetër të cilës i ka ardhur dita të realizohet dhe në të dyja anët e kufirit tanimë po punohet konkretisht në terren për ndërtimin e këtij korridori. Ne kemi dy kantiere të hapura dhe jemi në prag të hapjes së dy kantiereve të tjera sepse e kemi ndarë në katër pjesë ndërtimin e Korridorit 8 dhe kemi bërë shumë përpjekje për rizgjimin e këtij projekti si pjesë e një të shkuare të ish rrugës Egnatia dhe si pjesë e rrjetit europian të infrastrukturës. Ka qenë shumë e vështirë dhe më në fund ia kemi dalë në Samitin e Tiranës mes Ballkanit Perëndimor dhe BE dhe kjo na jep një tjetër energji pozitive, por na jep dhe një tjetër burim të rëndësishëm mbështetjeje nga Bashkimi Europian dhe për këtë arsye kemi pasur para disa ditësh një Samit në Romë me ministrin e Jashtëm të Italisë, ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe atë të Bullgarisë.

Nga ana tjetër mos të harrojmë Korridorin Blu për të cilin ne po punojmë intensivisht. Jemi në prag të nisjes së punimeve për disa segmente duke filluar nga segmenti Milot-Balldren pastaj duke vazhduar me segmentin Kashar – Lekaj, më tutje me Lekaj – Fierin. Ndërkohë që presim Milot – Thumanë. Thumanë – Kashar është në ndërtim dhe është 70% i ndërtuar. Presim që deri në fund të vitit të kemi dhe projektin që lidh Bunën përmes urës së re me Balldrenin dhe kështu do të kemi një korridor të standardeve të Bashkimit Europian që do të lidhë veriun e Shqipërisë me jugun e Shqipërisë dhe do të mbarojë tortura e jashtëzakonshme e gjithë atyre që vijnë nga lart, qoftë nga Kosova qoftë nga veriu i Shqipërisë dhe që duhet të mbërrijnë në Tiranë përmes një shtegu që është bërë praktikisht një shteg torturues për shkak dhe të fluksit shumë të lartë të automjeteve.

Më e mira është e gjitha përpara për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut dhe unë i jam shumë falënderues kryeministrit dhe gjithë ekipit të tij që pranuan që ta bëjmë këtë eveniment në anën tonë të kufirit dhe jam i bindur se më herët sesa vonë do rikthehemi për të parë të rindërtuar tërësisht këtë pikë sipas standardeve të Bashkimit Europian falë një projekti të lehtësimit të transportit në Ballkanin Perëndimor që po e realizojmë me financimin e Bankës Botërore. Shumë faleminderit të gjithëve!

Related Articles

Back to top button