Fuqia e vërtetë e Aleksandër Vuçiq është kontrolli i pushtetit në çdo segment të jetës serbe. Në pak orët e ardhshme, në kuadër të diskursit të tij të zakonshëm, presidenti serb do paraqesë ‘faktet’ për narrativën ‘e re’ që do të krijojë pas 24 Shtatorit. Ndërkohë, autoritetet kosovare e kanë zhbërë të gjithë propagandën dhe mënyrën sesi po manipulohen serbët e zakonshëm. Për një gjë, Vuçiq ka qenë në orët e fundit i vërtetë. Këto shtatë ditët e fundit kanë qenë më të rëndat për qeverisjen e tij, që pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kjo sepse e gjithë propaganda e tij, sidomos në këtë kohë, ku ai prej vitesh ruan një pushtet absolut, është zhbërë turpshëm. E megjithatë, në rrjetet sociale, në instagram ka dalë dje në një regjistrim duke premtuar fakte, që “do ta trondisin publikun”: “Ne do të vazhdojmë të investojmë në mbrojtjen e vendit tonë. Serbia do paqen. Ata shpikën gjithçka që thanë dhe e dinin pse ta bënin atë. Pjesa më e vështirë ishte dëgjimi i rrëfimeve se si duhej ta përshëndesnim veprimin e policisë së Kosovës. Ndërsa, garancitë se nuk ishte bërë në mënyrë profesionale ishin të kota. Pyetja jonë ishte pse EULEX-i nuk u pranua të merrte pjesë në atë operacion, por u vendos në sallën e operacionit për të vëzhguar nga larg… Përpjekje për të heshtur se si u vranë disa serbë dështuan. Ju njoftoj se brenda 24 orëve do të keni mundësi ta dëgjoni dhe ta shihni…”, kumtoi. Në fakt, para se të nxjerrë versionin e tij, ka qenë Ministri i Brendshëm i Kosovës, Sveçla, që ka argumentuar po në të njëjtën kohë e me prova nga dronët e kapur njësisë së terrorit se: “…do të shohim në detaje me pamje jo vetëm sulmin terrorist në Banjskë por edhe përgatitjet e këtij grupi në qendrat e trajnimit të Serbisë. Në këtë trajnim janë angazhuar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiqi, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së ushtrisë, Milan Mojsiloviq. Vuçiqi është munduar ta fshehë faktin se Serbia është angazhuar në organizimin e këtij sulmi”, tha z. Sveçla. Kurse drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dëshmuar se: nga hetimet u arrit në përfundimin se: “grupi terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë është stërvitur për një kohë të gjatë në territorin e Serbisë, në hapësirën e Hotel ‘Grey’ në Kopaonik, pronë e Milan Radoiçiqit, dhe është stërvitur edhe në poligonin më të madh ushtarak në Serbi në ‘Pasuljanske Livade’”. Porse, shtoi se Serbia u ka vënë në dispozicion grupit logjistikën e infrastrukturën për stërvitje dhe armë moderne, që nuk mund të gjenden në tregun e zi…
Kjo i bërë të paktën ata serbë mëndjehapur të kuptojnë realitetin por edhe masën e madhe të propagandës, që u serviret sot në kohën e internetit. Ashtu, si “tetëmbëdhjetë milionë ndjekësit”, mëtuar prej njerëzve të Vuçiq, kur mbajti fjalimin në sallën bosh të OKB-së!! Po cili do e ndali më këtë autokrat, që për fatin e keq, po kthehet me fuqi të jashtëzakonshme në Serbi? Dhe, një shembull sesi mund të uzurpohet pushteti me paratë e pista?! Paradoksi është se kjo gjendje shihet qartë në Serbi dhe tashmë indiferenca e madhe publike është e vetmja armë, pas manifestimeve të mëdha “Serbia kundër dhunës”. Kur lexon median e Beogradit, kupton se shteti i tyre po varfërohet, kanë borxhe marramendëse, ku shquhen kreditë e mëdha, pagat që po ulen, kurse çmimet si kudo në Ballkan po rriten frikshëm. Po për këto, qeveria Brnabiq e ka justifikimin e konjukturës ndërkombëtare dhe privacioneve jo të pakta të vendit të tyre. Për të ardhur keq është se serbët po vazhdojnë të manipulohen me paradigmën e tyre historike se e gjithë bota është kundër tyre!! E gjen në botën e artit, e gjen në publicistikë dhe sidomos në politikë. Për fat, tashmë gjen gjithnjë e më shumë njerëz dhe personalitete që janë kundër, por duken të habitur sepse nuk kanë pritur gjëra të këqija dhe këtë paradoks ky po e fut vendin ky lloj sharlatanizmi, që ka përfaqësues Vuçiq.
Publicisti Milojko Pantiq do e shprehte këtë realitet ditët e fundit shumë më mirë në një artikull tek “Danas”: “Me pushtetarët e mëparshëm nga Millosheviqi dhe Koshtunica e deri te Tadiqi, ekzistonte të paktën edhe një ideologji e tillë, madje edhe një program lufte. Kishim, qoftë edhe formalisht, një lloj institucionalizimi shtetëror, një lloj demokracie dhe narrativë të të Drejtave të Njeriut. Kishte një lloj morali, madje edhe moral kishtar. Nuk ka më asnjë gjurmë prej të gjithë kësaj. Perandori i rremë, në vend të gjithçkaje të përmendur, na paraqet çdo ditë një pasqyrë të shtrembëruar të realitetit përmes disa stacioneve televizive dhe llumrave të shtypura tabloide. Përveç parave, ai krijoi edhe një ‘inflacion’ progresi, zhvillimi ekonomik e çdo zhvillimi tjetër, sikur po jetonim në ndonjë realitet tjetër nga ai serb. Për dekada, që nga shembja e ish-shtetit të madh, mediat informative dhe politike të kontrolluara rreptësisht transmetojnë vetëm mesazhet dhe deklaratat e presidentit, kryeministrit, patriarkut, ministrave dhe ‘tifozëve’ të tyre. E gjithë kjo po i shndërron njerëzit dhe po rritet në një çmenduri kolektive deri në atë masë sa pothuajse fillojmë të shkëlqejmë natën, si alienët”.
Dhe, në analizën e publicistit të njohur vinë në alert edhe fuqitë e tij, që të gjitha lidhen me projektimin e fitoreve të padiskutueshme në zgjedhje. Ku shqetësuese ka mbetur vjedhja e burime publike e shtetërore dhe sesi merren tenderet në Beograd, të ashtuquajturat PPP ( partneriteti publik-privat), që njësoj si në Shqipëri po shpërfaqen shumë problematike. Pra pushteti financiar përmes tjetërsimit të aseteve publike; Kisha ortodokse, paçka se Serbia në kushtetutë është vend laik; Parlamenti, kujton publicisti, nuk konsultohet por pyetet Patriarku i Kishës Ortodokse dhe faktori i treti mbeten shërbimet inteligjente, ku BIA e sotme (Ish UDB-ja famëkeqe) mbahet si një organizëm krejtësisht i pa reformuar, një arsye pse në Serbi nuk e duan Evropën por flasin vetëm për Rusinë. Është mirë që këto sot t’i njohin dhe autoritetet shqiptare, që pas “Ballkan Open”, gati e harruan Serbinë e vërtetë, duke u përpjekur të mbyllin sytë para shumë realiteteve.
Duket se ngjarjet në Kosovë dhe narrativa e re që po ngrihet pas 24 shtatorit, nga i gjithë faktori ndërkombëtar me gishtin e drejtuar nga Vuçiq, po i kthjellon paq serbët. Në media e tyre e kupton nga njerëz që po reflektojnë me kritikat ndaj kësaj autokracie të frikshme, që nuk njeh as kanonet më normale demokratike, e që për interesat e ngushta të mbajtjes së pushtetit, as nuk do t’ia dijë. Koha do të na tregojë sesa serbët e zakonshëm do kuptojnë se janë ata bartës të sovranitetit të tyre, dhe jo disa trushkulur si Vuçiq, që e la mantelin e njeriut të paqes dhe tashmë ka marrë tunikën “e të fortit”. Realiteti i Kosovës është dërrma e fundit ndaj Vuçiq dhe gjithë institucionit të tij autokratik, paçka se me fuqinë e momentit, ai do të rezistojë ende me narrativën e viktimës.