Më shumë se 75,000 punonjës të rrjetit të kujdesit shëndetësor Kaiser Permanente në mbarë Shtetet e Bashkuara filluan një grevë tre-ditore të mërkurën, e cila ka të ngjarë të shtyjë vizitat mjekësore, rezultatet e testeve dhe marrjen e recetave për medikamente në të gjithë vendin.
Kaiser Permanente, një kompani spitalesh, farmacish dhe klinikash me qendër në Kaliforni, u shërben afro 13 milionë amerikanëve.
Koalicioni i Sindikatave Kaiser Permanente, i cili përfaqëson rreth 85,000 punonjës të kompanisë, njoftoi një grevë tre-ditore në Kaliforni, Kolorado, Oregon dhe shtetin e Uashingtonit, si dhe një grevë njëditore në Virxhinia dhe në Uashington, D.C., pasi negociatat për kontratën e punës ngecën gjatë natës.
Mbi 75,000 punonjës të Kaiser Permanente pritet t’i bashkohen grevës.
Bisedimet patën rifilluar të mërkurën.
Një ankesë kryesore nga ata që janë në grevë është se mungesa e personelit po mbingarkon punonjësit dhe po vonon kujdesin jetik shëndetësor.
“Po bëjmë grevë për pacientët tanë”, tha Mikki Fletchall, infermiere në një klinikë Kaiser në Camarillo, Kaliforni.
Rrjeti Kaiser Permanente premtoi se 39 spitalet e tij, përfshirë pavionet e urgjencës, do të qëndrojnë të hapura pasi mjekët dhe shumë infermierë nuk po bëjnë grevë. Por procedurat jo emergjente mund të vonohen dhe koha e pritjes për telefonatat tek shërbimi ndaj klientit mund të rritet.
Sindikatat e punëtorëve të rrjetit Kaiser kërkuan një pagë minimale prej 25 dollarësh për orë në gusht, e pasuar nga rritje prej 7% në dy vitet e ardhshme dhe 6.25% në dy vitet më pas.
Anëtarët e sindikatës thonë se mangësitë në personel po e ndihmojnë rrjetin Kaiser Permanente të vjelë fitime masive në dëm të shëndetit të pacientëve, duke i akuzuar drejtuesit për mashtrim në negociata.
Rrjeti Kaiser propozoi paga minimale nga 21 deri në 23 dollarë në orë në vitin 2024.
Që nga viti 2022, Kaiser ka punësuar 51,000 punonjës dhe po kërkon të shtojë 10,000 të tjerë përpara fundit të muajit.
Të ardhurat operative të sistemit spitalor ishin 25 miliardë dollarë në tremujorin e dytë të këtij viti, një rritje prej 7% nga shifrat e mëparshme. Rrjeti Kaiser ua atribuon investimeve të mençura fitimin prej 2.1 miliardë dollarësh në atë tremujor, fitim që e ndihmoi kompaninë të rimëkëmbej nga një humbje prej 1.3 miliardë dollarësh vitin e kaluar.
Por kompania gjigande e kujdesit shëndetësor është ende duke u mbrojtur nga fenomeni mbarëkombëtar i vendeve të paplotësuara të punës dhe rritja e inflacionit, tha kompania.
Greva vjen në një vit kur janë hedhur në grevë punëtorët në sektorët e argëtimit, hotelerisë dhe transportit. Në fund të shtatorit, Presidenti Joe Biden iu bashkua grevës së punonjësve të prodhimit të automobilëve në Miçigan. Komentatorët politikë thonë se veprimi i tij ka inkurajuar sindikalistët në mbarë vendin.