EMRAT/ SHBA fut në ‘listën e zezë’ 10 individë nga Ballkani, shpall raundin e sanksioneve të radhës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës të enjten kanë futur në listën e zezë 10 individë, teksa kanë shpallur rundin e radhës të sanksioneve ekonomike në Ballkan. Sipas ueb-faqes zyrtare të Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Në mesin e tyre janë Savo Cvijetinoviq, Petar Gjokiq, Dushko Peroviq dhe Nenad Popoviq nga Bosnja e Hercegovina; Miodrag Davidoviq dhe Branisllav Miqunoviq nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut; dhe Misha Vaçiq nga Serbia.
Petar Gjokiç është Ministër i Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Republikës Sërpska (RS) dhe president i Partisë Socialiste atje. Që nga viti 2010, ai ka mbajtur poste të ndryshme ministrore në qeverinë e këtij entiteti të Bosnje e Hercegovinës.
Në fillim të nëntorit, në Beograd, me rastin e festimit të festës ruse, Ditës së Bashkimit Kombëtar, atij iu dha një çmim për shërbimet e tij “në forcimin e miçësisë midis RS-së dhe Rusisë”. Dushko Peroviq është kreu i Përfaqësisë së RS-së në Moskë. Ai është më së shumti i pranishëm gjatë vizitës së presidentit të RS-së, Millorad Dodik, në kryeqytetin e Rusisë, dhe takimeve të tij me liderin rus, Vladimir Putin.
Savo Cvijetinoviç, i njohur me pseudonimin “Tigri”, është biznesmen nga Bijelina, në verilindje të Bosnje- Hercegovinës. Ai është themelues dhe drejtor i kompanisë “Inženjering-BN”, e cila gjithashtu u vendos në listën e sanksioneve amerikane.
Cvijetinoviç është edhe kryetar i komunitetit serbo-rus “Zavet”. Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, ai ishte kreu i Njësive Speciale të Policisë së RS-së.