Nga 1 janari hiqen “stickersat” Serbia njeh targat RKS
Bashkimi Evropian e ka cilësuar si hap pozitiv drejt normalizimit të raporteve vendimin e Serbisë që brenda territorit të saj të lejojë qarkullimin e lirë të veturave me targa të Kosovës, RKS – Republika e Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se pret që Kosova të ndërmarrë një vendim të ngjashëm dhe tha se kjo dëshmon se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit “është i mundur”.
“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë që zyrtarisht të njohë targat e automjeteve RKS, të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, por edhe zotimeve të mëparshme në kuadër të dialogut që lirinë e lëvizjes. Kjo dëshmon se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur. Po ashtu është një hap i duhur drejt integrimit më të mirë evropian të Ballkanit Perëndimor, që në fund përfitues do të jenë qytetarët e rajonit. Ky vendim hap rrugën për heqjen e plotë të regjimit të letrave ngjitëse [sticker]. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, tha Stano përmes një përgjigje me shkrim.
Më 25 dhjetor, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, kumtoi lajmin se nga 1 janari i vitit 2024, veturave me targa RKS do t’iu mundësohet lëvizja e lirë në territorin e Serbisë.