Analiza: Dinari vë në sprovë marrëdhëniet Kosovë-SHBA
Rreziku i prishjes së partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së shqetësoi një pjesë të opinionit publik, që marrëdhëniet mes dy vendeve i konsideron si “ekzistenciale”.
“Kush nuk e kupton këtë, nuk e meriton të jetë në krye të institucioneve”, tha Avdullah Hoti, deputet i opozitës në Kuvendin e Kosovës. Zyrtarë të Qeverisë, megjithatë, bënë përpjekje t’i ulin shqetësimet, duke këmbëngulur se ata “konsultohen dhe koordinohen me aleatët”. Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova “nuk ka partner, aleat dhe mik të rëndësishëm sikurse SHBA-ja”.
Reagimet u bënë një ditë pasi ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se SHBA-ja “është shumë e shqetësuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit serb” në Kosovë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se Kosova duhet të tërhiqet nga ky vendim që “e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në”. Plani prej 10 pikësh parasheh, mes tjerash, lehtësimin e kushteve për hapjen e llogarive bankare dhe pezullimin e përkohshëm të tarifës së BQK-së për hapje të degëve të bankave.
Qeveria “nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura shtetërore, sikurse që është Banka Qendrore e Kosovës”, tha Kurti dhe shtoi se partneriteti i Kosovës me SHBA-në nuk është në rrezik. “Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat dhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara. Kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha ai.
Çka thotë opozita?
Për Ariana Musliu Shoshin, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, partneriteti me SHBA-në nuk bën të lëkundet assesi. Sipas saj, ky partneritet është shumë më i vlefshëm se çdo vendim për çfarëdo të drejte të Kosovës.
“… sepse, vetëm në partneritet me SHBA-në, ne mund të arrijmë ta fuqizojmë subjektivitetin ndërkombëtar, por edhe politikën e brendshme”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë. Musliu Shoshi shton se askush prej aleatëve të Kosovës, përfshirë SHBA-në, nuk ka deklaruar se Kosova nuk ka të drejtë të marrë vendime që janë në përputhje me ligjin, porse për të gjetur zbatim, “ato duhet të jenë të koordinuara me aleatët”.
Avdullah Hoti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu në opozitë, tha se deklarimet e ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, O’Brien, duhet të merren me shumë shqetësim.
“Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale. Kush nuk e kupton këtë, nuk e meriton të jetë në krye të institucioneve. Bartësit e institucioneve të vendit e kanë për obligim që t’i mirëmbajnë këto marrëdhënie të pacenueshme”, shkroi Hoti në një postim në Facebook.
“Veprimet e Qeverisë [së Kosovës] duhet të jenë në harmoni me qëndrimet e aleatëve të saj ndërkombëtarë”, këmbënguli edhe deputetja tjetër opozitare, Time Kadrijaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Çka thonë analistët?
Derisa përfaqësuesit e opozitës nuk e thonë në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse Qeveria duhet ta tërheqë vendimin ose jo, disa analistë janë më të prerë – “Qeveria e Kosovës duhet të reflektojë dhe të tërhiqet nga vendimi për ndalimin e dinarit”, thotë Agon Maliqi për Radion Evropa e Lirë.