Ragmi Mustafa: Nëse Kurti ndërhyn në politikën e Preshevës, do t’i hasë sharra në gozhdë
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ragmi Mustafa, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do të mund të ndërhyrjë për krijimin e institucioneve lokale në Komunën e Preshevës, duke thënë se ai ka pasur ndikim në procesin zgjedhor.
Sipas Mustafës, ndikimi i Kurtit në elektoratin shqiptar në Luginë të Preshevës “ishte rreth 15 për qind”, por ai shtoi se nëse do të ketë përpjekje të tjera “Kurtit do t’i hasë sharra në gozhdë”.
“Jo, absolutisht s’do të mund të shtyhet pavarësisht tentativave që mund të vijnë nga Kurti. Në ato raste do t’i hasë sharra në gozhdë, këto mundësi për deklarime për mbështetjen e PVD-së këto mbaruan. Mbaroi misioni i tij. Ndërhyrje të tjera s’mund të ketë në asnjë mënyrë. Shqiptarët në Preshevë do t’i zgjedhin institucionet drejtuese, s’mund të jetë e pranueshme asnjë ndërhyrje e Kurtit në politikën shqiptare dhe ndërtimin e institucioneve shqiptare në Preshevë”, ka deklaruar ai të hënën në “Interaktiv” të KTV-së.
PDSH-ja doli e dyta në zgjedhjet lokale javë më parë në Preshevë, e Mustafa ka theksuar se partia e tij do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës “pasi pa PDSH s’mund të ketë partneritet koalicioni”.
Mustafa ka theksuar tutje se PDSH-ja dhe partitë e tjera do t’i nisin diskutimet javën në vazhdim për konstituimin e koalicionit qeverisës. Ai tha se pret qe zgjedhjet të prodhojnë një Kuvend stabilitet “dhe të jetë në interes të preshevarëve si në aspektin politik, ashtu edhe ekonomik”.