Rikthehet shërbimi i detyrueshëm ushtarak: “Të rinjtë në Preshevë do të ikin kur të mbushin 18 vjeç”
Kryetarja e sapozgjedhur e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, tha se shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi kërcënon paqen dhe sigurinë në rajon dhe mund të sjellë migrim masiv të të rinjve shqiptarë.
Përderisa shumica e njerëzve në Serbi janë të lumtur për kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, kryetarja e sapozgjedhur e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, tha se futja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak “rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon” dhe mund të çojë për një shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës.
“Kanë kaluar pothuajse 30 vite që nga shpërbërja e Jugosllavisë, por shqiptarët e Luginës së Preshevës ende mbeten të cenueshëm nga politikat diskriminuese të Beogradit.
Në vitet e 90-ta, kur regjimi i Millosheviqit synonte shtypjen dhe përndjekjen e shqiptarëve, të rinjtë tanë u detyruan të largoheshin masivisht për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak dhe represionit.
Sot, historia rrezikon të përsëritet!
Rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës.
Djemtë tanë, sapo mbushin 18 vjeç, detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, në një shtet që vazhdimisht i diskriminon.” ka shkruar Sinani në facebook.
Ajo tha se Serbia nuk pranon asnjë kërcënim nga fqinjët e saj, përkundrazi – kërcënimi për paqen në rajon vjen nga Serbia.
“Serbia nuk përballet me ndonjë kërcënim nga fqinjët e saj! Përkundrazi, ngjarjet e fundit të 24 shtatorit në Banjskë na treguan se, ndërsa flitet për paqe në Bruksel, Serbia planifikon destabilizimin dhe aneksimin e veriut të Kosovës.
Kërcënimi i vërtetë për paqen dhe stabilitetin e rajonit vjen pikërisht nga vetë Serbia!
Rajoni ynë ka nevojë për paqe, zhvillim dhe të ardhme të sigurt për të rinjtë tanë. Por, për fat të keq, Serbia e Vuçiqit vazhdon të tregojë se nuk ka asnjë vullnet për normalizim dhe stabilitet.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës duan paqe, jo tensione! Rajoni ka nevojë për progres, jo për konflikte të reja!” ka perfunduar Sinani në facebook.
Kujtojmë se presidenti i Serbisë ka deklaruar sot se ka nënshkruar marrëveshjen për shërbimin e rregullt ushtarak për 75 ditë.
Më vonë, gjatë ditës, Qeveria e Serbisë në një seancë të posaçme miratoi një konkluzion me të cilin urdhërohet Ministria e Mbrojtjes që urgjentisht të fillojë procedurën për kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në kohëzgjatje prej 75 ditësh, deri në fund të javës së ardhshme, amendamentet në Ligji duhet të miratohet, tha kryeministri serb Millosh Vuçeviq pas seancës së Qeverisë së Serbisë.