Përfunduan ditët e komedisë shqiptare në Preshevë: Këta janë fituesit e natës finale të edicionit të 14-të
Në Preshevë përfundoi me sukses edicioni i 14-të i Festivalit të Komedisë Shqiptare, një ngjarje e rëndësishme kulturore që mblodhi për pesë ditë artistë të shquar dhe trupa teatrale nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Publiku preshevar pati mundësinë të shijojë performanca të ndryshme nga Teatri i Qytetit Fier, Mitrovicë, Tetovë, Preshevë dhe Teatri AAB Prishtinë.
Në natën finale, juria e festivalit ndau çmimet për arritjet më të spikatura artistike. Fituesit ishin si më poshtë:
Shfaqja më e mirë: “Pacienti i Dr. Frojdit” – Teatri i Qytetit Tetovë
Regjia më e mirë: Agron Borici, realizuar nga Gent Çajani – Teatri i Qytetit Tetovë
Aktori më i mirë: Adrian Aziri – Teatri i Qytetit Tetovë
Aktorja më e mirë: Miola Sitaj – Teatri “Bylis” Fier
Aktorja më e mirë jo protagoniste: Egzona Saliu – Teatri i Qytetit Preshevë
Aktori më i mirë jo protagonist: Valon Nuhiu – Teatri i Qytetit Preshevë
Çmimi Special i Festivalit: Teatri “Bylis” Fier
Ky festival, i cili tashmë është bërë një traditë kulturore e rëndësishme në Preshevë, shërben si platformë për promovimin e artit skenik dhe bashkëpunimit ndërmjet teatrove shqiptare në rajon. Organizatorët shprehën mirënjohje për mbështetjen e publikut dhe përkushtimin e artistëve, duke premtuar një edicion edhe më të pasur vitin e ardhshëm.
Presheva, përmes këtij festivali, dëshmon se mbetet një qendër vitale për artin dhe kulturën shqiptare.