Avokati Spartak Ngjela komentoi sot për ‘Studio Live” në Report TV edhe situatën politike në Kosovë dhe faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Për zgjedhjet në Kosovë ai tha se sondazhet për Albin Kurtin janë favorizuese, por e tregojnë me një trend në zbritje të përqindjes, kurse për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut u shpreh se ndodhen më lartë nga faktori tjetër shqiptar i trevave, në nivel intelektual dhe politik, duke lënë të kuptohet se në të ardhmen e afërt do kërkohet edhe shkëputja prej atij vendi dhe bashkimit me Kosovën.
“Sondazhet dalin për Kurtin, ka rënë nga niveli përqindjes, por sipas të dhënave të mia është përpara. S’kemi pse ngutemi, kur të dalin do shohim. Nuk është aq thellë sa ka qenë, tregon se i kanë rënë aksione, megjithatë flasim para kohe dhe duhet të shohim se çfarë do ndodhi”, u shpreh avokati.
Ai tha se Maqedonia është një shtet bullgaro-shqiptar dhe tashmë që Bullgaria po kërkon shkëputjen e trevave me minoritetin e saj, edhe shqiptarët duhet të bëjnë të njëjtën gjë.
“Faktori shqiptar në Maqedoni nuk është në nivelin e Kosovës dhe Shqipërisë, por është më i mirë. Ka 10 vjet në ngritje të intelektit të tyre dhe të votimit, e të gjendjes së tyre. Ka ardhur koha që ata të bëjnë një lëvizje, ata duhet të bashkohen me Kosovën, pse do rrinë? Edhe Bullgaria kërkon bullgarët. Maqedonia është një shtet me shumicë bullgare, shqiptarët në minorancë. Përderisa Bullgaria e kërkon pjesën e saj, atëherë do dalin edhe shqiptarët, krijohet Maqedonia e Shqiptarëve dhe bashkohet me Kosovën. Mbetet jashtë vetëm Çamëria. Maqedonia është një shtet bullgaro-shqiptar”, u shpreh Ngjela.
Në lidhje me Çamërinë avokati shprehet se faktori ndërkombëtar po kërkon që të zhbëjë një padrejtësi të shumë dekadave më parë, duke u rreshtuar pro shqiptarëve së fundmi.
“Kryeministri shqiptar ka folur për Çamërinë në Greqi. E kërkon faktori ndërkombëtar, bota shqiptarë është faktor i rëndësishëm i botës ndërkombëtare dhe do e shpëtojnë nga padrejtësitë që i janë bërë ndër vite. Ka mbetur vetëm Çamëria, do ta shikojmë”, përfundoi avokati.