Albin Kurti, i shqetësuar nga pjesëmarrja e ulët? Thirrje votuesve të 2021: Orë vendimtare, dilni votoni
![](https://i0.wp.com/presheva.al/wp-content/uploads/2025/02/Albin-Kurti.png?resize=640%2C405&ssl=1)
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin të votojnë teksa kanë mbetur më pak se dy orë nga mbyllja e procesit të votimit.
“Të dashur qytetarë të Kosovës, Sot është dita D e demokracisë. Kush nuk ka dalur ende të votojë, shkoni tash sa më parë. Pyesni të gjithë të afërmit e miqtë se a kanë votuar dhe ua përcjellni këtë porosi timen që të shkojnë të votojnë menjëherë nëse nuk e kanë bërë. Më pak se dy orët në vijim, deri në 19:00, janë vendimtare për edhe më shumë se katër vitet e ardhshme”, shkruan Kurti në Facebook.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare deri në orën 15:00 ishte 28.32 për qind. Zëdhënësi Valmir Elezi tha se, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja deri në këtë orë ishte më e ulët.
“Në 91.20 për qind të vendvotimeve, deri në orën 15:00 kanë votuar 28.32 për qind, apo 558.246 votues nga 1.970.944. Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e vitit 2021 kanë votuar 32.32 për qind”, tha Elezi në një konferencë për media që nisi pak pas orës 16:00.