Banorët e Tërrnavës, Miratocit dhe Norçës kundër ndërtimit të gurëthyesit

Tërrnavë, 25 Shkurt 2025 – Kryesitë e bashkësive lokale Tërrnavë, Miratoc dhe Norçë kanë mbajtur një mbledhje të përbashkët për të diskutuar ndërtimin e një gurëthyesi në malet e fshatit Tërrnavë. Gjatë mbledhjes, përfaqësuesit e të tria bashkësive kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe kanë vendosur të nisin një peticion për të ndaluar ndërtimin.
Banorët e Miratocit dhe Norçës i janë bashkuar iniciativës dhe kanë marrë përsipër mbledhjen e nënshkrimeve në zonat e tyre. Ky vendim vjen si rezultat i shqetësimeve për ndikimin negativ që gurëthyesi mund të ketë mbi mjedisin dhe jetën e komunitetit lokal.
Fushata e mbledhjes së nënshkrimeve do të vazhdojë në ditët në vijim, ndërsa organizatorët synojnë të ushtrojnë presion mbi autoritetet për të ndalur ndërtimin e gurëthyesit.