Lajme

Delegacioni nga Komuna e Tutinit viziton Preshevën për bashkëpunim ndërkomunal

Preshevë, 14 Shkurt – Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, priti në një takim zyrtar një delegacion nga Komuna e Tutinit, të udhëhequr nga Kryetarja Sellma Kuçeviq. Gjatë takimit, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit mes dy komunave në fusha të rëndësishme si infrastruktura, arsimi dhe kultura.

Takimi shërbeu si një platformë për shkëmbimin e përvojave mbi sfidat e qeverisjes lokale dhe thellimin e marrëdhënieve ndërkomunale. Kryetarja Sinani vlerësoi përvojën e Komunës së Tutinit në zhvillimin e projekteve të qëndrueshme, duke e cilësuar atë si një model të vlefshëm nga i cili Presheva mund të mësojë dhe të aplikojë praktika të mira.

Në këtë takim mori pjesë edhe deputetja Minella Kalender, e cila konfirmoi mbështetjen për bashkëpunimin ndërmjet komunave dhe rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve të forta ndërinstitucionale.

Kryetarja Sinani falënderoi delegacionin nga Tutini për gatishmërinë e tyre në ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe shprehu besimin se kjo vizitë do të jetë një hap i rëndësishëm për zhvillimin e përbashkët të dy komunave dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Related Articles

Back to top button