Lajme

Frikë në Evropë: A do të tërhiqen SHBA nga kontinenti, duke lënë BE-në të pambrojtur?

Gazeta gjermane ‘Bild’ raporton për shqetësimet në rritje në Evropë lidhur me negociatat midis SHBA-së dhe Rusisë në Riad, Arabinë Saudite. Shërbimet perëndimore të sigurisë dhe politikanët frikësohen se këto bisedime mund të çojnë në tërheqjen e trupave amerikane nga pjesë të mëdha të Evropës. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përjashtuar një “tërheqje të plotë” nga kontinenti evropian, por shqetësimet mbeten.

Sipas ‘Bild’, Italia po përgatitet për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova. Në këtë rast, aleatët evropianë do të mbeteshin vetëm në Ballkan përballë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe ushtrisë së fuqishme serbe. Këto informacione bazohen në deklaratat e një zyrtari të sigurisë në Evropën Lindore.

Një skenar tjetër i frikshëm është mundësia e një pushtimi të papritur rus në ish-republikat sovjetike si Estonia, Letonia dhe Lituania, si dhe një luftë të gjerë me Poloninë. Këto shqetësime janë përforcuar nga kërkesat e mëparshme të presidentit rus, Vladimir Putin, për tërheqjen e trupave amerikane nga vendet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990.

Ish-ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis, ka shprehur gjithashtu shqetësimet e tij, duke pyetur nëse Putin do të kërkojë të njëjtat kushte në Riad. Analiza të tjera sugjerojnë se një tërheqje e tillë e trupave amerikane mund të lërë Bashkimin Evropian të pambrojtur ndaj ushtrisë ruse.

Këto zhvillime kanë ngritur alarmin në shumë kryeqytete evropiane, duke nxitur diskutime mbi sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit në rast të një tërheqjeje të mundshme të forcave amerikane.

Related Articles

Back to top button