Lajme

Komuna e Preshevës ndihmon administratën e policisë

Komuna e Preshevës ka ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve dhe diasporës, duke investuar në pajisje teknologjike për Administratën e Policisë. Ky investim synon të lehtësojë procesin e pajisjes me dokumente personale, si letërnjoftime, pasaporta dhe patentë-shoferë.

Sipas kryetares Ardita Sinani, ky projekt do të zvogëlojë pritjet, do të rrisë efikasitetin dhe do të mundësojë një shërbim më të shpejtë për të gjithë qytetarët. “Diaspora ka qenë dhe mbetet pjesë e pandashme e Preshevës, ndaj sfidat e saj në sigurimin e dokumenteve personale janë gjithmonë në vëmendje,” theksoi Sinani.

Në këtë kuadër, janë siguruar kompjuterë dhe pajisje teknike për sektorët përkatës, duke modernizuar infrastrukturën e shërbimeve administrative. Qytetarët e Preshevës, veçanërisht ata që vijnë nga diaspora, do të përfitojnë nga këto ndryshime për të përfunduar procedurat e tyre me më pak vonesa.

Ky investim është pjesë e përkushtimit të komunës për të forcuar lidhjet mes diasporës dhe vendlindjes, duke e bërë Preshevën një vend më të aksesueshëm për të gjithë qytetarët e saj.

Related Articles

Back to top button