Paga mesatare në Preshevë për muajin janar të vitit 2025, 625 euro

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara, paga mesatare neto në Serbi ka arritur në 148.440 dinarë, ndërsa rajoni i Pçinjës mbetet dukshëm prapa mesatares kombëtare me 82.600 dinarë.
Sipas raportit, ndër komunat me pagat më të ulëta në vend renditen Presheva dhe Banja e Vranjës, ku qytetarët marrin paga dukshëm më të vogla se pjesa tjetër e vendit. Këto shifra reflektojnë një hendek të madh ekonomik mes rajoneve të ndryshme të Serbisë, ku disa zona industriale dhe urbane shënojnë rritje të ndjeshme të të ardhurave, ndërsa rajonet jugore vazhdojnë të përballen me sfida ekonomike.
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se një nga faktorët kryesorë të këtij dallimi është mungesa e investimeve dhe zhvillimit industrial në jug të vendit, duke ndikuar drejtpërdrejt në mundësitë e punësimit dhe pagat e banorëve lokalë.
Qytetarët e Preshevës dhe Banjs së Vranjës shprehen të pakënaqur me kushtet ekonomike dhe kërkojnë masa konkrete nga autoritetet për të përmirësuar situatën dhe për të tërhequr investime që do të ndihmonin në rritjen e pagave dhe përmirësimin e standardit të jetesës.
Ndërkohë, qeveria serbe ka premtuar politika të reja për të zvogëluar pabarazitë rajonale, por mbetet për t’u parë nëse këto masa do të japin rezultate konkrete në të ardhmen.