APN: Skandal në Komunën e Preshevës – Vetura zyrtare në shërbim të familjes së kryetares?!

Përdorimi i paautorizuar i veturës zyrtare nga kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka ngritur reagime të ashpra në opinionin publik dhe politik lokal. Sipas një postimi nga lëvizja “Alternativa për Ndryshim”, bashkëshorti i saj është parë duke drejtuar veturën zyrtare të komunës në mes të ditës, për qëllime të padeklaruara zyrtarisht.
Në reagimin e publikuar në rrjetin social Facebook, Alternativa për Ndryshim shkruan:
“Kjo do të thotë që kryetarja paska vendosur të ‘zgjedhë’ ekipin e saj, duke ‘punësuar’ bashkëshortin, jo në ndonjë pozitë të zakonshme, por si shofer personal me veturë zyrtare!”
Ata akuzojnë se vetura që duhet të shërbejë për udhëtime zyrtare dhe nevoja të komunës, është kthyer në “taksi private” për çështje familjare.
Lëvizja opozitare kërkon një sqarim publik nga kryetarja Sinani mbi arsyet e përdorimit të veturës zyrtare në këtë mënyrë dhe ngre shqetësimin për shkelje të etikës dhe keqpërdorim të resurseve publike.
Postimi mbyllet me një thirrje të ashpër: “TURP!!!”