
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të rënda që ndodhën sot në Bosilegrad, ku futbollistët e KF Tërnoci u ndaluan, bastisën dhe u maltretuan nga policia lokale pas ndeshjes me ekipin vendas Mlladost.
Në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook, Pajaziti e ka cilësuar të papranueshëm trajtimin që iu bë ekipit shqiptar dhe ka kërkuar urgjentisht sqarime nga Drejtoria Policore në Vranjë, nën juridiksionin e së cilës është edhe Stacioni Policor i Bosilegradit.
“E gjykoj me çdo forcë maltretimin e sotëm që i ka ndodhur djelmoshave të KF Tërnoci. Prezenca e uniformuar në ambientet personale të futbollistëve është një formë maltretimi që nuk lejohet as me rregulla sportive, as me ato civile,” deklaroi Pajaziti.
Sipas sqarimeve që kryetari i komunës mori nga zyrtarët policorë, thuhet se “policia e Bosilegradit kishte marrë informacione se disa futbollistë të KF Tërnoci kishin futur mjete të forta dhe armë të ftohta në stadium për të shkaktuar incidente.” Megjithatë, pas bastisjes së kryer, nuk është gjetur asgjë që të mbështesë këto pretendime.
Gjithashtu, është përmendur edhe një “arsyetim” tjetër: se kapiteni i KF Tërnoci kishte bërë shqiponjën me duar – gjest që zyrtarët policorë e kanë interpretuar si provokim.
Pajaziti, në ndërhyrjen e tij, ka insistuar se përdorimi i dhunës nga ana e policisë është i papranueshëm. Zyrtarët e policisë, sipas tij, kanë premtuar se ndaj policëve që kanë përdorur dhunë do të ndërmerren masa disiplinore.
“Ky akt është i qëllimshëm, i montuar dhe me prapavijë. Ditëve në vijim do të kërkojmë që kjo ngjarje të sqarohet në nivele të larta dhe që ndaj organizatorëve të këtij skenari të merren masa rigoroze,” ka përfunduar Pajaziti.