Ardita Sinani kundërshton emërimin e Demo Berishës si ministër: “Presheva nuk përfaqësohet me maska politike”

Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, ka reaguar ashpër ndaj emërimit të Demo Berishës si kandidat për Ministër të të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave në qeverinë e re të Serbisë.
Përmes një reagimi në Facebook, Sinani e cilëson këtë emërim si një “fyerje për qytetarët shqiptarë në Luginë, për familjet tona, për historinë dhe sakrificën tonë kolektive.” Ajo shton se ky nuk është një përfaqësim i vërtetë, por një përpjekje e ulët për të krijuar një iluzion të bashkëjetesës dhe barazisë, ndërkohë që realiteti në terren është krejtësisht tjetër.
Sipas Sinanit, Demo Berisha “nuk përfaqëson shqiptarët e Luginës së Preshevës – ai është zëri i atyre që kanë ndërtuar karrierë mbi mohimin e identitetit tonë.” Ajo kritikon ashpër emërimet e tilla të cilat, sipas saj, bëhen për të dekoruar ndërkombëtarët dhe për të fshehur mungesën e të drejtave themelore të shqiptarëve në jug të Serbisë.
Znj. Sinani thekson se në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kërkohet përfaqësim autentik, dinjitoz dhe i bazuar në vullnetin e qytetarëve. “Ne nuk jemi pakicë që kërkon mëshirë, por popull që kërkon të drejtat që i takojnë me Kushtetutë, me marrëveshje dhe me dinjitet.”
Në fund të deklaratës së saj, ajo thekson: “Presheva që unë përfaqësoj qëndron e bashkuar për të drejtat e saj, me kokën lart dhe zërin e qartë.”