LajmeSport

Futbollistët e KF Tërnocit të dhunuar nga policia pas ndeshjes me Mlladostin

Një skandal i paprecedentë ka ndodhur sot në Bosilegrad gjatë dhe pas ndeshjes së Ligës Rajonale të Rrethit të Pçinjës, ku KF Tërnoci u përball me ekipin vendas Mlladost. Ajo që filloi si një ndeshje futbolli, përfundoi në një skenë të ngjashme me filmat policorë – me dhunë, bastisje dhe tensione etnike.

Sipas reagimit zyrtar të klubit KF Tërnoci, skuadra e tyre është përballur me padrejtësi flagrante gjatë ndeshjes, ku vendimet e arbitrit dhe ndërhyrjet e dyshimta favorizuan ekipin vendas, duke çuar në një rezultat 2:1 pas dy kartonëve të kuq të dhënë në mënyrë të kontestueshme për lojtarët e Tërnocit.

Megjithatë, ajo që pasoi ndeshjen ka tronditur opinionin sportiv dhe më gjerë. Një pjesëtar i sigurimit në stadium, për arsye ende të paqarta, thirri policinë të futej në fushë – veprim që nuk lejohet pa autorizimin e delegatit të ndeshjes. Në një akt të paprecedentë, njëri nga policët goditi futbollistin Veton Zeqiri dhe ofendoi pjesën tjetër të ekipit.

Policia më pas hyri me forcë në zhveshtore, duke kryer bastisje në sendet personale të futbollistëve, nën pretekstin absurd të kërkimit të armëve të ftohta.

Pas këtij veprimi të dhunshëm dhe joprofesional, i gjithë ekipi i KF Tërnocit u shoqërua në stacionin policor të Bosilegradit, ku kapiteni u detyrua të japë deklaratë, ndërsa futbollistit të dhunuar nuk iu lejua të flasë për atë që kishte ndodhur. Vetëm pas kësaj ekspedita e klubit u lirua dhe u lejua të largohet.

Në reagimin e tyre publik, drejtuesit e KF Tërnocit shprehen të bindur se bëhet fjalë për një skenar të përgatitur mirë, i cili shkon përtej sportit dhe ka për qëllim tensionimin e situatës në baza etnike.

“Ne jemi vetëm për futboll dhe sport si urë lidhëse mes popujve,” theksohet në reagim, duke shtuar se ditëve në vijim do të shqyrtohet seriozisht pjesëmarrja e klubit në garat e ardhshme, për shkak të sigurisë së lojtarëve.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale dhe pritet të marrë vëmendje më të madhe nga institucionet relevante, përfshirë Federatën Futbollistike të Serbisë dhe mekanizmat ndërkombëtarë që monitorojnë të drejtat e njeriut dhe sportin.

Related Articles

Back to top button