Projekti për rregullimin e rrugës në varrezat e Rahovicës vazhdon të mbahet peng nga pushteti aktual

Projekti për rregullimin e rrugës qarkulluese në varrezat e fshatit Rahovicë mbetet i bllokuar, përkundër nevojës së kahmotshme të banorëve dhe nisjes së punimeve në vitin e kaluar. Kështu ka bërë të ditur Visar Memeti, në një reagim publik, duke theksuar se projekti i nisur gjatë mandatit të Alternativës është ndërprerë pa ndonjë arsye të qartë nga pushteti aktual.
Sipas Memetit, ky projekt ishte një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të Rahovicës dhe kishte kaluar të gjitha procedurat e nevojshme, përfshirë kontraktimin dhe nisjen e punimeve. Mirëpo, me ardhjen në pushtet të Arditës dhe Ragmisë, ai dhe projekte të tjera u ndërprenë në mënyrë të papritur.
“Shqetësuese është heshtja e dy këshilltarëve të fshatit Rahovicë, të cilët janë pjesë e këtij pushteti dhe nuk kanë thënë asnjë fjalë për ndalimin e këtij projekti,” shkruan Memeti, duke akuzuar ata për mungesë përfaqësimi dhe përqendrim në interesa personale.
Në dokumentet e publikuara, shihet se vlera e parashikuar për projektin arrin në 2,650,000 dinarë, ndërsa gjendja aktuale e rrugës është alarmante, e mbuluar me mbeturina dhe e papërshtatshme për qarkullim.
Banorët e Rahovicës kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse që të rifillojnë punimet dhe të realizojnë këtë projekt jetik për komunitetin.