Shaqiri kritikon udhëheqjen komunale: “Vetëm foto e pritje, asnjë projekt për qytetarët

Anëtari i Alternativës, Almin Shaqiri, ka reaguar me tone të ashpra ndaj qeverisjes aktuale komunale, duke e cilësuar si të paaftë dhe të dëmshme për qytetarët e Preshevës. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Shaqiri ka akuzuar kryetaren dhe zëvendëskryetarin e komunës për mungesë transparence dhe për fokusim vetëm në aktivitete formale.
“S’ka asnjë projekt konkret në dobi të qytetarëve tanë. Aty s’ka tjetër përveç pritje, përcjellje, takime dhe foto,” ka shkruar ai.
Shaqiri gjithashtu ka theksuar se edhe projektet që kanë qenë të nisura nga qeverisja e kaluar, përkatësisht nga ALTERNATIVA, janë bllokuar në procedura gjyqësore dhe si pasojë tani po i kushtojnë shumëfish buxhetit të komunës.
Ai e përmbyll reagimin e tij me një vlerësim të prerë: “Asnjë përkufizim tjetër nuk i shkon kësaj qeverisje, pos paaftësi totale.”
Presheva.AL do të vijojë të ndjekë zhvillimet në Komunën e Preshevës dhe do t’ju mbajë të informuar me reagimet nga të gjitha palët.