Skandali me veturën zyrtare, Alternativa për Ndryshim kërkon transparencë nga kryetarja Ardita Sinani

Alternativa për Ndryshim ka bërë publik një skandal të ri që lidhet me përdorimin e veturës zyrtare të Komunës së Preshevës nga bashkëshorti i kryetares Ardita Sinani. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, subjekti opozitar ka publikuar një kërkesë zyrtare drejtuar Kabinetit të Kryetares dhe administratës komunale, në të cilën kërkohet qartësi dhe përgjegjësi për këtë rast.

Në kërkesën zyrtare të dorëzuar sot, Alternativa për Ndryshim ka ngritur disa pyetje kyçe: në çfarë cilësie është përdorur vetura zyrtare, kush e ka autorizuar një përdorim të tillë dhe nëse është e lejuar që bashkëshorti i kryetares të ngasë veturën komunale.

Sipas APN-së, Ardita Sinani vazhdon të heshtë përballë këtij skandali dhe nuk ka dhënë asnjë sqarim publik, duke injoruar përgjegjësinë që ka ndaj qytetarëve dhe transparencën që i kërkohet si udhëheqëse e institucionit komunal.

“Qytetarët kanë të drejtë të dinë. Heshtja nuk mund dhe nuk duhet të jetë përgjigje,” thuhet në reagimin e Alternativës për Ndryshim.

Përmes këtij veprimi, Alternativa për Ndryshim kërkon zbardhjen e plotë të rastit dhe marrjen e përgjegjësisë nga ata që kanë lejuar keqpërdorimin e resurseve publike.

Back to top button