Afër Preshevës zbulohet një lloj i ri i shpendëve në Serbi

Gjatë një hulumtimi të realizuar në kuadër të përgatitjes së atlasit të parë kombëtar të shpendëve folezues, ornitologët nga Shoqata për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve të Serbisë kanë regjistruar për herë të parë praninë e një specie të re për vendin “voliçi ullinor (Hippolais olivetorum)” në një kullotë me shkurre në jug të Preshevës.

Ky është rasti i parë i konfirmuar i kësaj specie në Serbi, dhe një zbulim me rëndësi të madhe për ornitologjinë serbe.

Vendndodhja ku u zbulua kjo shpendë gjendet në kuadër të zonës së rëndësishme ndërkombëtare për shpendë (IBA) “Lugina e Preshevës – Rujen” dhe është pjesë e rrjetit ekologjik të Republikës së Serbisë.

“Voliçi ullinor” është një zog i vogël këngëtar që folezon në Evropën Juglindore dhe Lindjen e Afërt, ndërsa dimëron në Afrikën Lindore dhe Jugore. Ai preferon habitate si pemishtet, ullishtet, pyjet e rralla me lis, shkurret në kodra dhe kullotat me drunj të shpërndarë. Ushqimi i tij kryesisht përbëhet nga jovertebrorët, sidomos insektet, ndërsa gjatë verës konsumon edhe fruta, veçanërisht fiqtë.

Ky zbulim mund të jetë tregues i ndryshimeve në shpërndarjen e shpendëve mesdhetarë, ndoshta si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe të karakterit të habitateve.

Ornitologët kanë qenë në pritje të paraqitjes së voliçit ullinor në Serbi, madje kanë spekuluar se ai mund të bëhet edhe një specie folezuese e rregullt në të ardhmen.

Back to top button