Amerikanët i ndërprenë vaksinat kundër koronavirusit – nuk janë më të sigurta?

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë njoftuar se vaksinimi kundër koronavirusit nuk rekomandohet më për gratë shtatzëna dhe për fëmijët e shëndetshëm, kanë raportuar sot agjencitë.
Ministri i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., në një video-mesazh në platformën X (ish-Twitter), tha se këto vaksina janë hequr nga programi i vaksinimit i CDC-së për këto dy kategori të popullsisë, raportoi Reuters.
Kennedy, i cili prej kohësh ka pasur qëndrime skeptike ndaj vaksinave, është ngarkuar me reformimin e sistemit shëndetësor për ta përshtatur me zvogëlimin drastik të qeverisë federale, që është një nga objektivat e presidentit Donald Trump, sipas agjencisë.
“Tani jemi një hap më afër realizimit të premtimit të presidentit që Amerika të bëhet sërish e shëndetshme”, deklaroi Kennedy.
CDC më parë ka rekomanduar vaksinimin kundër COVID-19 për të gjithë personat mbi gjashtë muajsh. Studime të kryera në mbarë botën kanë treguar se vaksinimi kundër koronavirusit para dhe gjatë shtatzënisë është i sigurt dhe efektiv për gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre, thuhet në faqen zyrtare të CDC-së.
Komisioneri i Administratës Amerikane për Ushqim dhe Ilaçe (FDA), Marty Makary, tha në një video se nuk ka dëshmi se fëmijët e shëndetshëm kanë nevojë për vaksina kundër COVID-19.
“Meqë pandemia e koronavirusit tashmë ka kaluar, ka ardhur koha të ecim përpara”, tha Ministria e Shëndetësisë.
Prodhuesit e vaksinave Moderna dhe Pfizer ende nuk janë prononcuar lidhur me këtë vendim.