Ardita Sinani ia hedh fajin opozitës për paaftësinë e saj – ndërsa administrata mbetet pa paga

Në vend që të pranojë përgjegjësinë për krizën financiare që po trondit Komunën e Preshevës, kryetarja Ardita Sinani ka zgjedhur të sulmojë opozitën dhe kompanitë lokale, duke u përpjekur t’i shmanget fajit për gjendjen alarmante në të cilën ndodhen punëtorët e administratës komunale.
Në një postim në Facebook, Sinani pretendoi se një kompani e quajtur “BL Planet”, e cila sipas saj është e “lidhur me ish-pushtetin”, ka përfituar një shumë prej 9.1 milionë dinarësh nëpërmjet një akti përmbarues për “punë të pakryera”. Ajo e quan këtë një “grabizje” dhe përdor gjuhë akuzuese si “zhvatës” dhe “sulme hibride” për të përshkruar kritikët e saj.
Por realiteti është se kjo situatë është pasojë direkte e paaftësisë së qeverisjes aktuale për të menaxhuar buxhetin dhe për të ruajtur stabilitetin financiar të komunës. Kryetarja Sinani, përkundër premtimeve për transparencë dhe përgjegjësi, vazhdon të mos japë shpjegime konkrete përse punëtorët komunalë kanë mbetur pa paga – duke e zhvendosur vëmendjen nga dështimet e saj drejt opozitës.
Opozita ka paralajmëruar prej kohësh për keqmenaxhimin e fondeve dhe për kontratat e dyshimta që po rëndojnë mbi buxhetin e komunës. Paralajmërimet e tyre për “bllokadë financiare” nuk ishin kërcënime, por sinjale alarmi për të cilat qeveria lokale nuk tregoi asnjë shqetësim.
Në vend që të kërkojë zgjidhje për krizën dhe të mbrojë interesin e qytetarëve, Ardita Sinani po vazhdon lojën politike të viktimizimit dhe fajësimit të tjerëve. Punëtorët e administratës, qytetarët dhe vetë Presheva meritojnë më shumë – meritojnë përgjegjësi, jo propaganda.