Ardita Sinani po kopjon Shqiprim Arifin

ryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka nisur së fundmi një rubrikë të re javore me emrin “Njeriu i Javës”, ku prezanton punonjës të administratës komunale që, sipas saj, luajnë një rol të rëndësishëm në funksionimin e përditshëm të institucionit.
Megjithatë, ky format nuk është aspak i ri për publikun preshevar. Ish-kryetari i Komunës, Shqiprim Arifi, kishte nisur një iniciativë të ngjashme gjatë vitit 2023, kur kishte filluar të prezantonte pjesëtarët e kabinetit të tij dhe stafin e administratës komunale përmes rrjeteve sociale dhe kanaleve zyrtare të informimit. Në atë kohë, kjo praktikë u konsiderua si një mënyrë për të afruar institucionin me qytetarin dhe për të vlerësuar punën e të panjohurve të përditshmërisë institucionale.
Në statusin e saj, Sinani thekson:
“Punëtorët e komunës janë ata që i japin jetë institucionit… do të prezantoj çdo javë nga një punëtor që rrallë shihet në publik, por që në komunë i konsiderojmë të gjithë si vlerë e shtëpisë sonë.”
Pavarësisht debatit për origjinalitetin e kësaj iniciative, vlerësimi i punëtorëve të administratës komunale është një hap i mirëpritur dhe i domosdoshëm. Por, dilema mbetet: a po shndërrohen idetë e vjetra në strategji të reja politike? Apo thjesht është fjala për një frymë vazhdimësie me përmbajtje të përbashkët?