Edi Rama: Shqipëria do të jetë pranë shqiptarëve të Luginës së Preshevës në çdo hap

Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, ka publikuar sot në rrjetet sociale një letër falënderimi nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, pas urimit që ajo i kishte dërguar për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri.

Në letrën e tij të datës 15 maj 2025, Kryeministri Rama shpreh mirënjohjen për urimin e ngrohtë të kryetares Sinani dhe vlerëson angazhimin e saj në drejtimin e Komunës së Preshevës dhe përkushtimin për të drejtat e shqiptarëve në Luginë.

“Dua t’Ju siguroj se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të rritet e forcohet, si shprehje e vëmendjes dhe përkujdesjes së Qeverisë shqiptare ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës,” shkruan Rama në letrën drejtuar znj. Sinani.

Ai gjithashtu thekson angazhimin e Qeverisë së Shqipërisë për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e standardit jetësor për shqiptarët në këtë rajon.

Kryetarja Sinani, duke ndarë letrën në Facebook, ka shprehur falënderim publik për fjalët e ngrohta të Kryeministrit shqiptar:
“Mirënjohëse për vlerësimin dhe fjalët e ngrohta të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama. Mbështetja institucionale për shqiptarët e Luginës së Preshevës është e domosdoshme dhe e mirëpritur. Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të drejtat dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.”

Ky shkëmbim i ndërsjellë mes përfaqësuesve institucionalë vjen si sinjal pozitiv i vazhdimit të bashkëpunimit mes Tiranës dhe Preshevës në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Back to top button