Kryetarja pranon në dokument zyrtar përdorimin e veturës nga bashkëshorti i saj, APN nxjerr dokumentin

Alternativa për Ndryshim ka reaguar ashpër ndaj përgjigjes zyrtare të kabinetit të Kryetares së Komunës së Preshevës, lidhur me përdorimin e veturës zyrtare nga bashkëshorti i saj. Kjo çështje, e cila fillimisht ishte mohuar kategorikisht nga shefi i kabinetit, tashmë është konfirmuar nga vetë zyra e Kryetares në një dokument zyrtar, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi etikën dhe profesionalizmin e udhëheqjes komunale.
Sipas deklaratës së Alternativës për Ndryshim, përdorimi i veturës zyrtare nga persona që nuk janë të punësuar në komunë përbën një keqpërdorim të qartë të resurseve publike. Përpjekjet për të justifikuar këtë veprim, duke përfshirë gjendjen shëndetësore të bashkëshortes së shoferit zyrtar dhe mungesën e një shoferi tjetër, konsiderohen si arsyetime emocionale dhe joprofesionale.
“Ironikisht, pas pranimit të përdorimit të veturës nga bashkëshorti i Kryetares, të njëjtit zyrtarë e quajnë këtë denoncim ‘spekulim politik dhe i pabazë’,” thuhet në reagimin e Alternativës, e cila këtë e cilëson si hipokrizi të pastër dhe të papranueshme për një institucion publik.
Në fund, Alternativa për Ndryshim ka kritikuar thirrjet për “shmangie të denoncimeve” nga ana e zyrtarëve komunalë, duke theksuar se heshtja ndaj keqpërdorimeve nuk është përgjegjësi institucionale, por bashkëpunim në shkelje.