Letër e hapur nga punonjësi i Administratës Komunale: “Jam ndëshkuar derisa isha në pushim të ligjshëm”

**Letër e hapur nga punonjësi i Administratës Komunale: “Jam ndëshkuar derisa isha në pushim të ligjshëm”**

**Preshevë, 22 maj 2025 –** Një ngjarje e pazakontë dhe shqetësuese ka dalë në pah sot në opinionin publik, pas një letre të hapur të publikuar nga z. Shpend Mehmeti, punonjës i Administratës Komunale në Preshevë, i cili denoncon një vendim penalizues ndaj tij, të cilin e quan “të padrejtë, arbitrar dhe diskriminues”.

Në letrën e tij të hapur, z. Mehmeti shprehet se më 21 maj 2025 i është komunikuar një masë ndëshkuese nga drejtuesit e institucionit, me arsyetimin se ai ka munguar në vendin e punës më 20 maj. Sipas tij, kjo mungesë është krejtësisht e paarsyeshme, pasi që ndodhej zyrtarisht në pushim vjetor të miratuar nga data 12 maj deri më 29 maj 2025.

“Jam ndëshkuar për një mungesë që ka ndodhur në kohën kur ndodhem në pushim ligjor”, shprehet ai, duke e cilësuar këtë si një shkelje flagrante të Ligjit të Punës dhe të të drejtave themelore të njeriut. Ai shton se rasti merr përmasa edhe më të rënda duke pasur parasysh gjendjen e tij shëndetësore, e cila është e njohur për institucionin dhe që kërkon mirëkuptim, jo ndëshkim.

Mehmeti thekson se ndër vite ka qenë i vlerësuar si punëtor i dalluar dhe se asnjëherë më parë nuk është përballur me ndonjë vërejtje për sjellje jo profesionale. “Ky është një veprim arbitrar që flet për një pushtet të zhveshur nga përgjegjësia dhe ndjeshmëria”, shkruan ai.

Letra e tij është bërë publike me synimin për të ngritur vetëdijen mbi trajtimin që, sipas tij, po u bëhet punonjësve me probleme shëndetësore, dhe për të kërkuar reagim institucional ndaj këtij trajtimi, të cilin ai e quan “të papranueshëm dhe thellësisht të padrejtë”.

Të nderuar qytetarë, kolegë,
Ju drejtohem me këtë letër të hapur për të ndarë një ngjarje tejet shqetësuese dhe të papranueshme që më ka ndodhur si punëtor i Administratës Komunale Preshevë – një trajtim që cenon rëndë të drejtat elementare të njeriut, etikën institucionale dhe dinjitetin profesional.
Më 21 maj 2025, më është komunikuar një vendim penalizues, me arsyetimin absurd se më datë 20 maj 2025 kam munguar në vendin e punës, ndonëse zyrtarisht ndodhem në pushim vjetor të miratuar dhe të dokumentuar nga data 12 maj deri më 29 maj 2025. Me fjalë të tjera, jam ndëshkuar për një mungesë që ka ndodhur, në kohën kur ndodhem në pushim ligjor.
Ky veprim përbën shkelje flagrante të Ligjit të Punës dhe të të drejtave themelore të njeriut, si dhe një akt të qartë diskriminimi dhe nënçmimi ndaj një punonjësi me probleme të njohura shëndetësore.
Është e dhimbshme dhe e papranueshme që në vend që të mbështeten punëtorët që përballen me sfida shëndetësore, ata të kthehen në objekt ndëshkimi arbitrar. Ky është një tregues i qartë se për këtë pushtet, të kesh probleme shëndetësore nuk trajtohet si gjendje që kërkon përkujdesje dhe mirëkuptim, por si “pengesë” që dënohet.
Theksoj me përgjegjësi se çdo mungesë ime ndër vite është komunikuar paraprakisht tek Eprori im pergjegjës, i cili ka dhënë pëlqimin për lirimin tim në përputhje me rrethanat përkatëse. Asnjëherë më parë nuk më është dhënë asnjë vërejtje, verbale apo me shkrim, që të sugjeronte ndonjë problem në sjelljen time profesionale.
Ky rast tregon se kemi të bëjmë me një pushtet të verbuar nga arbitrariteti, të zhveshur nga çdo ndjenjë përgjegjësie dhe humanizmi, që nuk njeh më as tolerancën institucionale, as ndjeshmërinë ndaj shëndetit dhe as ligjin si garanci e mbrojtjes. Kjo është një situatë mjeruese dhe e rrezikshme për çdo nëpunës që përballon sfida shëndetësore.
Është një paradoks i madh dhe thellësisht i padrejtë që unë, i cili çdo vit vlerësohem me notën maksimale si punëtor i dalluar, papritmas dhe pa asnjë paralajmërim, të cilësohem si i padisiplinuar përmes një veprimi të pabazuar dhe të njëanshëm.
Në vend që të ketë mirëkuptim, mbështetje dhe respekt institucional për sfidat shëndetësore të punonjësve, siç kërkohet me ligj, ne përballemi me ndëshkim, përbuzje.Kjo përbën cenim të rëndë të parimeve të drejtësisë sociale, të barazisë në vendin e punës dhe të dinjitetit njerëzor.
Me respekt dhe vendosmëri,
Shpend Mehmeti
Data: 22.05.2025

Back to top button