Ndodh edhe kjo në Preshevë: Shpallet konkurs për drejtor të NP “Moravica” pa kurrëfarë kriteri për kandidatët

Një konkurs i shpallur nga Këshilli Drejtues i Ndërmarrjes Publike “Moravica” ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik. Në vend të një procedure transparente dhe ligjore për përzgjedhjen e drejtorit, konkursi i shpallur më 7 maj 2025 po perceptohet si një akt formal për të legjitimuar një emërim të paracaktuar me ndikim politik dhe partiak.
Mungesa e kritereve bazë ligjore
Në tekstin e konkursit mungojnë elemente thelbësore që çdo konkurs publik duhet t’i përmbajë:
– Nuk kërkohet arsimi i lartë përkatës, ashtu siç parashikohet me ligj.
– Përvoja në menaxhim apo në sektorin publik nuk përmendet fare.
– Shtetësia e Republikës së Serbisë nuk është kusht.
– Certifikata nga evidenca penale mungon plotësisht.
-Kriteret etike dhe profesionale as që përmenden.
Në vend të këtyre, konkursi është thjesht një përmbledhje e detyrave të drejtorit – çka sugjeron se vendimi për emërim mund të jetë marrë paraprakisht.
Abuzim me institucionet dhe tallje me qytetarët
Kjo qasje përfaqëson jo vetëm një degradim të standardeve institucionale, por edhe një fyerje për qytetarët e Preshevës, të cilët presin një qeverisje transparente dhe meritokratike. Në vend që të garantohet konkurrencë reale dhe përzgjedhje e drejtë, procedura po përdoret si mbulesë për kapje të pushtetit lokal.
Kush fshihet pas këtij procesi?
Emrat e ish-kryetares së komunës Ardita Sinani dhe ish-kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar Ragmi Mustafa janë përmendur në opinion si figura me ndikim në këtë proces. Nëse këto dyshime vërtetohen, atëherë kemi të bëjmë me një rast të qartë të kapjes së shtetit në nivel lokal, ku pushteti përdor ndërmarrjet publike për të ushqyer klientelizmin dhe kontrollin politik.
Kërkohet reagim urgjent nga institucionet përkatëse
Organet shtetërore dhe mekanizmat mbikëqyrës duhet të hetojnë menjëherë ligjshmërinë e këtij konkursi. Njëkohësisht, shoqëria civile dhe qytetarët duhet të reagojnë fuqishëm për të mbrojtur integritetin e institucioneve publike.
KONKURS
Për zgjedhjen e drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Moravica” Preshevë
Vendimi i shpalljes: nr. 119-27, datë 07.05.2025
Institucioni shpallës: Kuvendi i Komunës së Preshevës
Selia: Preshevë, rr. Behxhet Shehu, pa numër
Numri i regjistrimit: 06389309
PIB: 100519862
Veprimtaritë kryesore të ndërmarrjes përfshijnë:
– Mbledhja, pastrimi dhe shpërndarja e ujit
– Pastrimi i ujërave të ndotura
– Mbledhja dhe trajtimi i mbeturinave
– Rregullimi i ambientit
– Menaxhimi i parkingjeve publike dhe varrezave
– Instalime elektrike
– Shërbime të tjera ndihmëse
Pozita: Drejtor për një mandat katërvjeçar
Detyrat përfshijnë: përfaqësim ligjor të ndërmarrjes, menaxhimin e veprimtarisë, propozimin e planeve strategjike dhe raporteve financiare, emërimin e drejtorëve ekzekutivë, dhe menaxhimin e burimeve njerëzore.