Nuk ka “tym të bardhë” në kuvend, seanca e re më 27 maj

Edhe sot ka dështuar mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke shtyrë më tej formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit. Seanca, e cila ishte planifikuar të mbahej sot, nuk ka arritur të vazhdojë për shkak të mungesës së kuorumit dhe mospajtimeve politike ndërmjet subjekteve parlamentare.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, bëri të ditur se seanca e re është thirrur për ditën e martë, më 27 maj, duke filluar nga ora 11:00. Ai u shpreh se shpreson në një reflektim të partive politike dhe një angazhim më serioz për të përmbushur obligimet kushtetuese.
“Është me rëndësi që të gjitha forcat politike të tregojnë pjekuri institucionale dhe të ecim drejt themelimit të organeve legjislative e qeverisëse të vendit,” deklaroi Dehari pas dështimit të seancës së sotme.
Ky është dështimi i 21 radhazi për të mbajtur seancën konstituive, duke reflektuar ngërçin politik që po e shoqëron procesin paszgjedhor në Kosovë. Të gjithë sytë tashmë janë drejt datës 27 maj, me shpresën se Kuvendi do të arrijë të funksionalizohet.