Shaqiri pushtetit lokal “ju jeni të paaftë” projekti për hapjen e kufirit Miratoc-Lllojan është i APN-së

Almin Shaqiri, përfaqësues i subjektit politik Alternativa për Ndryshim, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së pushtetit aktual rreth çështjes së hapjes së pikës kufitare Miratoc–Llojan, duke e akuzuar për paaftësi totale dhe manipulim të opinionit publik.
Në një postim në Facebook, Shaqiri kritikoi kryetaren aktuale të Komunës së Preshevës për, siç thotë ai, mungesë të iniciativës institucionale për të shtyrë përpara këtë projekt të rëndësishëm për qytetarët e zonës.
“Kryetarja po na tregon se ka bërë një shkresë drejt institucioneve serbe për çështjen e kufirit, e po harron që me vite të tëra e ka akuzuar Alternativën që kjo është një gënjeshtër dhe se po manipulojmë banorët e fshatit Miratoc”, shkruan Shaqiri.
Ai kujton se gjatë qeverisjes së Alternativës për Ndryshim janë ndërmarrë hapa konkretë dhe janë përgatitur shkresa zyrtare drejtuar institucioneve relevante për hapjen e kësaj pike kufitare, e cila do të lehtësonte qarkullimin e banorëve mes Preshevës dhe Llojanit të Maqedonisë së Veriut.
Në fund të reagimit, Shaqiri shton me ironi se funksionarët aktualë janë të aftë vetëm të përdorin ChatGPT për të hartuar letra, por jo për të çuar përpara asnjë projekt serioz.
“Paafësi dhe kolaps total”, përfundon ai.