Shoqata “Bleta” reagon ndaj postimit të UAV-PMB

Pas shpërndarjes së 150 kosherëve për 34 bletarë nga komuna e Preshevës, projekt i financuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA, në bashkëpunim me Shoqatën “Bleta” në Preshevë, ka reaguar kryetari i kësaj shoqate lidhur me pretendimet e bëra nga Unioni i Afaristëve Vizion – UAV-PMB.
Në një postim në rrjetin social Facebook, UAV-PMB ka deklaruar se “projekti i bletarëve nga TIKA” është realizuar si rezultat i iniciativës së tyre, duke përmendur edhe një takim të mbajtur më 12 janar 2024 si pikënisje të këtij bashkëpunimi.
Mirëpo, kryetari i Shoqatës “Bleta” ka reaguar publikisht, duke theksuar se:
“Ky projekt është iniciativë e vetë Shoqatës ‘Bleta’, sa për informim të saktë! Ndërsa në atë takim është diskutuar vetëm për mundësi bashkëpunimi.”
Shoqata “Bleta” ka qenë institucioni që ka zhvilluar idenë, ka hartuar projektin dhe ka realizuar të gjitha procedurat në bashkëpunim me TIKA-n për sigurimin dhe shpërndarjen e pajisjeve për bletarët. Shoqata gjithashtu ka konfirmuar se përfituesit janë përzgjedhur në mënyrë transparente dhe se bashkëpunimet e mundshme me organizata të tjera janë gjithmonë të mirëseardhura, por duhen bërë me korrektësi dhe respekt ndaj punës dhe meritave reale.