Skandal i ri në Komunën e Preshevës: APN akuzon Ragmi Mustafën për punësime familjare në institucionet publike

Tensionet politike në Komunën e Preshevës janë rritur ndjeshëm pas akuzave të reja ndaj Ragmi Mustafës, ish-kryetarit të komunës dhe aktualisht figurë me ndikim në qeverisjen lokale. “Alternativa për Ndryshim” ka publikuar një reagim të ashpër në rrjetet sociale, ku e akuzon Mustafën për nepotizëm dhe përfshirje të familjarëve të tij në poste kyçe në administratën komunale.

Sipas deklaratës, skandali vjen vetëm pak ditë pas akuzave ndaj zyrtares Ardita Sinani, për punësimin e bashkëshortit të saj si “shofer personal”. Tashmë, fokus i akuzave është Ragmi Mustafa, i cili akuzohet për emërimin e djalit dhe vëllait të tij në pozita të rëndësishme publike — përkatësisht si drejtor i Fondit për Investime dhe në një tjetër pozitë brenda komunës.

APN ngre shqetësimin se me këto veprime është vendosur nën kontroll të një rrethi të ngushtë familjar menaxhimi i projekteve me rëndësi të madhe për zhvillimin lokal dhe përdorimi i financave publike. Në deklaratë thuhet se “institucionet publike janë shndërruar në strehë për familjarët dhe miqtë politikë, ndërsa qytetarët ndihen gjithnjë e më të përjashtuar nga proceset vendimmarrëse”.

Për më tepër, sipas APN-së, donatorë të huaj janë tërhequr nga bashkëpunimi me komunën për shkak të mungesës së transparencës dhe profesionalizmit.

Në reagimin e saj, “Alternativa për Ndryshim” kërkon ndalimin e “kapjes së shtetit në nivel lokal” dhe rikthimin e besimit të qytetarëve përmes përfshirjes së të gjithë faktorëve në qeverisje dhe vendimmarrje.

Deri më tani, Ragmi Mustafa nuk ka dhënë ndonjë reagim publik në lidhje me këto akuza.

Back to top button