Skandal i ri në komunën e Preshevës: vetura zyrtare përdoret përsëri për qëllime private?

Pavarësisht denoncimeve të mëhershme publike për keqpërdorimin e veturës zyrtare të kryetarit të Komunës së Preshevës, një rast i ri ka ndodhur sot. Sipas një postimi të bërë nga Almin Shaqiri, sot në mëngjes rreth orës 07:10, bashkëshorti i kryetares së Komunës, Ardita Sinani, është parë përsëri duke e drejtuar veturën zyrtare në rrugët e qytetit.

Rasti është regjistruar edhe nga kamerat e sigurisë që mbulojnë qendrën e qytetit, gjë që mund të shërbejë si provë e rëndësishme për institucionet përkatëse që duhet të reagojnë ndaj një veprimi të tillë të cilësuar si keqpërdorim i pronës publike.

“Përveç denoncimit publik qytetar dhe moral, tani më shpresoj që janë pjekur kushtet që për këtë keqpërdorim të pronës publike të merren edhe organet kompetente të hetuesisë,” – shkruan Shaqiri në reagimin e tij në rrjetet sociale.

Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që ngre alarmin për përdorimin joadekuat të resurseve komunale, ndërkohë që vetë qytetarët përballen me mungesë transparence dhe ndjeshmëri nga pushteti lokal.

Në fund të reagimit të tij, Shaqiri thekson se ky veprim, për këtë pushtet, “është bërë normë dhe vlerë morale”, duke hedhur dritë mbi një kulturë të mundshme të mosllogaridhënies që po përshkon institucionet lokale.

Back to top button