“The Future” nis aksionin informues rrugor në Bujanoc dhe Preshevë për të drejtat civile dhe përdorimin e gjuhës shqipe

Organizata “The Future” ka filluar sot një aksion informues në rrugët kryesore të qyteteve të Bujanocit dhe Preshevës, me fokus në ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi të drejtat civile dhe përdorimin e gjuhës shqipe në dokumente zyrtare.

Ky aksion përfshin shpërndarjen e fletushkave informuese dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, për t’u ofruar atyre informacion të qartë dhe të saktë mbi:

– Të drejtën për përmirësimin dhe shkrimin korrekt të emrit në dokumentet personale
– Të drejtën për regjistrimin e emrit në gjuhën shqipe në të gjitha dokumentet zyrtare

Qëllimi i këtij aktiviteti është fuqizimi i qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës për të kërkuar dhe realizuar të drejtat e tyre gjuhësore dhe identitare, në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut dhe ligjet në fuqi.

Organizata “The Future” apelon tek qytetarët që të marrin pjesë aktive në këto aktivitete dhe të shfrytëzojnë mundësinë për të marrë informacion të dobishëm mbi të drejtat e tyre ligjore dhe administrative.

“Qytetarët kanë të drejtën të identifikohen në dokumente në gjuhën e tyre amtare. Informimi është hapi i parë drejt barazisë dhe respektimit të të drejtave themelore”, u shprehën përfaqësuesit e organizatës gjatë aktivitetit.

Ky aksion është pjesë e projektit “Fuqizimi i të rinjve shqiptarë dhe përmirësimi i integrimit në shoqërinë serbe”, i cili zbatohet nga organizata Iniciativat Qytetare (Građanske inicijative) dhe financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, përmes **Fondit për Konflikt, Stabilitet dhe Siguri (CSSF).

Aktivitetet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me synimin për të arritur sa më shumë qytetarë dhe për të mbështetur komunitetin shqiptar në realizimin efektiv të të drejtave të tij.

Back to top button