Tika shpërndanë 150 koshere për bletarët nga Presheva

Në kuadër të përpjekjeve për mbështetjen e zhvillimit rural dhe fuqizimin ekonomik të familjeve në komunën e Preshevës, sot u realizua me sukses shpërndarja e 150 kosherëve për 34 bletarë përfitues nga ky rajon.
Kosheret u dhuruan dhe u financuan nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA, në bashkëpunim me Shoqatën “Bleta” në Preshevë, e cila përfaqëson dhe angazhohet për të drejtat dhe përkrahjen e bletarëve të komunës sonë.
Përveç kosherëve, bletarët përfituan edhe dyll blete, i cili është esencial për përgatitjen dhe zhvillimin e kolonive të bletëve. Kjo mbështetje synon të forcojë kapacitetet e bletarëve vendorë, të rrisë prodhimin e mjaltit dhe të kontribuojë në vetëpunësimin e qëndrueshëm në zonat rurale.
Shoqata “Bleta” ka shprehur falënderim të veçantë për TIKA-n për këtë mbështetje të çmuar ndaj bletarëve të Preshevës. Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet TIKA-s dhe Shoqatës “Bleta” ka bërë të mundur realizimin me sukses të këtij projekti.