TK: Në Luginë nuk ndodh asgjë e ngjashme me atë që u ndodh serbëve në Kosovë nën regjimin e Albin Kurtit

Trupi Koordinues i Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili akuzoi autoritetet serbe për shkelje të të drejtave të shqiptarëve dhe për pastrim etnik në komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Në deklaratën zyrtare, kryetari i Trupit Koordinues, Dr. Aleksandar Martinović, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij institucioni, Nenad Mitrović, e cilësuan si të “pabazë, të papranueshme dhe të rrezikshme” retorikën e ministrit Sveçla, duke theksuar se akuzat e tilla mund të rrezikojnë paqen dhe bashkëjetesën ndëretnike në rajon.
“Republika e Serbisë mbetet e përkushtuar për integrimin e të gjitha komuniteteve dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave, duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët”, thuhet në deklaratë.
Zyrtarët serbë shtuan se në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë funksionojnë struktura multietnike policore ku janë të përfshirë shqiptarët, serbët dhe romët. Ata pranuan se interesi i shqiptarëve për t’u bërë pjesë e forcave policore ka qenë i ulët, pavarësisht konkurseve të hapura nga Ministria e Brendshme.
Deklarata gjithashtu vë theksin në kontrastin me situatën në Kosovë, duke pretenduar se “në Luginë nuk ndodh asgjë e ngjashme me atë që u ndodh serbëve në Kosovë nën regjimin e Albin Kurtit”.
“Policia nuk hap zjarr ndaj civilëve, nuk maltreton të rinjtë dhe nuk shkel të drejtat themelore. Të gjithë qytetarët, përfshirë shqiptarët, gëzojnë lirinë e lëvizjes dhe të shprehjes”, thuhet më tej.
Sipas tyre, deklaratat e ministrit Sveçla janë përpjekje për të mbuluar “kaosin institucional” në Kosovë dhe dështimin për të konstituuar Kuvendin.
Në fund të deklaratës, Trupi Koordinues thekson se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe ndërtimit të një shoqërie pa diskriminim.