Vuçiç injoron pyetjen për shqiptarët e Luginës në Samitin e Tiranës

Tiranë – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian, i cili po mbahet në kryeqytetin shqiptar me pjesëmarrjen e liderëve nga e gjithë Evropa.

Gjatë momentit hyrës të samitit, gazetarja e Euronews, Alice Taylor, i drejtoi një pyetje të drejtpërdrejtë presidentit serb:

“Ju kërkoni më shumë të drejta për serbët në veri të Kosovës. Çfarë thoni për shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët po shlyhen nga regjistri civil?”

Vuçiç zgjodhi të mos përgjigjet, duke injoruar plotësisht pyetjen.

Mosreagimi i tij ngre shqetësime të reja për gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në jug të Serbisë, veçanërisht në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ku për vite me radhë janë raportuar raste të shumta të diskriminimit institucional, përfshirë edhe shlyerjen nga regjistrat civilë – një praktikë që ndikon drejtpërdrejt në të drejtën për banim, arsim, shëndetësi dhe pjesëmarrje në jetën politike.

Kjo pyetje vjen në një kohë kur Serbia kërkon vazhdimisht më shumë të drejta për komunitetin serb në Kosovë, ndërsa vetë akuzohet për shkelje sistematike të të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve në Luginë.

Back to top button